Një pjesë e jashtme e “787 Dreamliner” u shkëput nga avioni në fluturim, në incidentin e fundit që përfshin modelin më të fundit të prezantuar si “krenaria e Boeing”.
I dizenjuar me risi të shumta inxhinjerike e kompiuterike dhe me idenë e të qënit një rival i denjë i gjigantit “A380” të “Airbus”, “787” është duke vuajtur nga probleme të shumta pas prezantimit të tij, në fillim me problemet me baterinë dhe tashmë edhe me këtë problem të ri.
Në vetëm një vit që prej lëshimit të tij në përdorim të gjerë nga kompanitë ajrore, “Dreamliner” ka regjistruar disa ulje emergjence e probleme që po rrisin në mënyrë të vazhdueshme dyshimet për besueshëmrinë e këtij avioni.
Në incidentin më të fundit të raportuar nga “Daily Mail”, përfshihet një fluturim i “Air India”, ku paneli 4×1.3 metra u shkëput gjatë udhëtimit.
Fluturimi vazhdoi pa probleme dhe pilotët vrojtuan problemin vetëm pas uljes, por kjo ka bërë të nisë një hetim mbi shkaqet e kësaj të papriture.
Ndërkohë, në një deklaratë për shtyp, “Boeing” u tregua i kujdesshëm për të nënvizuar se shkëputja e panelit nuk rrezikoi në asnjë moment vetë avionin.
Megjithatë, kompania duhet të ndihet fatlume që paneli u shkëput ndërsa avioni po lëvizte mbi një zonë të pabanuar sepse nëse pjesa do të kishte rënë mbi një qendër urbane, ngjarja do të kishte qenë shumë e rrezikshme për njerëzit në tokë.
Top Channel