Optimizëm në bisedimet me Iranin

16/10/2013 00:00

Fuqitë botërore dhe Irani pritet të rinisin bisedimet për programin bërthamor të Teheranit, pas optimizmit të shprehur nga negociatorët në takimin e ditës së parë.

Irani thotë se propozimi i tij për një samit dy-ditor në Gjenevë ka kapacitetin për t’i dhënë udhë të re bisedimeve. Megjithatë, detajet e propozimeve mbeten konfidenciale për momentin.

Këto janë bisedimet e para të grupit 5+1 dhe Iranit, që prej zgjedhjes së Hassan Rouhani-t në krye të Republikës Islamike, në qershor të këtij viti dhe marrjes së detyrës prej tij në muajin gusht.

Perëndimi dyshon se programi bërthamor iranian synon ndërtimin e një bombë bërthamore, por Teherani mohon këto akuza duke deklaruar se programi i tij është krejtësisht për qëllime paqësore.

Bisedimet në Gjenevë vënë përballë në të njëjtën tryezë përfaqësues të 5+1 të përbërë nga SHBA, Britania, Kina, Franca, Rusia, Kina plus Gjermaninë dhe zyrtarëve iranianë.

Pas takimeve të ditës së parë, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Europian, Catherine Ashton tha se ka një optimizëm të kujdesshëm dhe se për herë të parë është mes palëve janë diskutuar teknikalitete të detajuara.

Zyrtarët iranianë dhe specialistët e programit të tij bërthamorë shpjeguan për më shumë se një orë programin e tyre bërthamorë. Ekipi negociator i Teheranit kryesohet nga Ministri i Jashtëm, Mohammad Javad Zarif dhe zëvendësi i tij, Abbas Araqchi.

Pas takimit të ditës së parë, Araqchi tha se fuqitë botërore u njohën me planet iraniane dhe se bisedimet shkuan mirë.

“Patëm një diskutim shumë konstruktiv, një shkëmbim këndvështrimesh dhe qëndrimesh shumë serioz”, tha ai.

Televizioni shtetëror në Teheran raportoi se oferta iraniane qëndronte në reduktimin e niveleve të pasurimit të uraniumit, një kërkesë thelbësore e Kombeve të Bashkuara.

Përpara bisedimeve, Ministri i Jashtëm Zarif shprehu besimin se brenda të mërkurës do të mund të arrihej një marrëveshje për rrugën që do të ndiqet drejt një zgjidhjeje përfundimtare.

Ndërkohë, ndërkombëtarët kërkojnë nga Teherani të ndalë pasurimin e uraniumit dhe në shkëmbim premtojnë lehtësimin e barrës së rëndë të sanksioneve ndërkombëtare që Republika Islamike vuan prej vitesh.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta