“Me Iranin, bisedimet më të detajuara”

16/10/2013 23:50

Fuqitë botërore dhe Irani kanë zhvilluar “bisedime ndër më të detajuarat ndonjëherë” mbi programin bërthamor, tha zyrtarja më e lartë e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton. Dy palët zhvilluan diskutime dy ditore në Gjenevë. Bisedime të mëtejshme do të zhvillhen më 7 dhe 8 nëntor.

Baronesha Ashton dhe ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, i quajtën këto bisedime “substanciale dhe largpamëse”.

Negociatorët ndërkombëtarë konsideruan më kujdes të madh një propozim të Iranit, thuhej në deklaratën e përbashkët pas bisedimeve dy ditore. Diskutimet në Gjenevë mblodhën bashkë zyrtarët iranianë dhe përfaqësues të “P5+1” – ku bëjnë pjesë 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë në OKB (Britani, Kinë, Francë, Rusi, SHBA) si dhe Gjermania, apo e njohur ndryshe si E3+3.

“Pjesëmarrësit ranë dakord se E3+3 dhe ekspertët bërthamorë iranianë, shkencëtarët dhe ekspertët e sanksioneve do të mblidhen përpara takimeve të ardhshme, për të adresuar diferencat dhe për të zhvilluar hapat e mëtejshme praktike”, thuhej më tej në deklaratë.

Në një konferencë për shtyp pas fundit të bisedimeve, Zarif tha se shpreson që bisedimet të çojnë në “nisjen e një faze të re sa i përket marrëdhënieve tona” dhe se mund të ndihmojnë të zgjidhin “krizat e panevojshme”.

Ai shtoi se, sipas tij, negociatorët ndërkombëtarë do të duhet të marrin kohë për të studiuar dhe për t’iu përgjigjur propozimeve të Iranit. Më herët, Irani kishte deklaruar se propozimi i tyre që do të parashtrohej në samitin 2-ditor në Gjenevë kishte “kapacitetin e nevojshëm për të thyer akullin”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se Irani ka treguar “një nivel serioziteti dhe përmbajtjeje, që nuk është parë kurrë më parë”. Megjithatë, përgjigjja e Rusisë ishte më e përmbajtur: “Nuk ka asnjë arsye që të nisim duartrokitjet, gjërat mund të kishin rezultuar edhe më mirë”, është cituar të ketë thënë zëvendës ministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, për agjencinë e lajmeve “Interfax”.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, mirëpriti faktin se “diplomatët kanë nisur për herë të parë diskutime substanciale me Iranin”. “Irani do të duhet të ndërmarrë hapat e parë të domosdoshëm mbi programin e tyre bërthamor, ndërsa ne jemi gati që të marrim hapat proporcionale në këmbim”, shtoi ai.

Perëndimi dyshon se Teherani synon krijimin e armëve bërthamore, por Irani thotë se programi i tyre është vetëm për qëllime paqësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA