Organizata franceze “Mjekët Pa Kufij” jep alarmin për krizën humanitare në Siri, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar ta trajtojë këtë çështje me të njëjtin angazhim të investuar në shkatërrimin e armëve kimike.
Apeli i drejtorit operativ të organizatës, Bart Janssens, erdhi bashkë me paralajmërimet se kërcënimi nga kequshqyerja dhe uria në vend është në rritje, ndërkohë që njerëzve po u mbarojnë rezervat ushqimore.
“Kemi një luftë të shkallës së gjerë dhe një reagim humanitar minimal. Të gjithë e pranojnë se lipset një qasje më e madhe humanitare për të shpëtuar jetë, megjithatë nuk shohim asnjë lloj mobilizimi”, tha Bart Janssens, drejtor i operacioneve, “Mjekët pa Kufij”.
Grupi profetizon se kequshqyerja do të mbërrijë nivele dramatike javët e ardhshme, sidomos në zonat e bllokuara për shkak të vazhdimit të luftimeve.
Të martën, avionë e helikopterë ushtarakë bombarduan rajonet e kontrolluara nga rebelët në mbarë vendin, ndërsa pjesa më e madhe e vendit me shumicë muslimane po përpiqej të festonte Kurban Bajramin.
Në fillim të tetorit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së lëshoi një apel për çeljen e korridoreve të sigurta të ndihmës në mbarë vendin, përfshirë edhe linjat e konfliktit.
Megjithatë, organizatat që ofrojnë asistencë kanë shumë vështirësi në mbërritjen te njerëzit në nevojë, dhe “Mjekët pa kufij” kujton se dërgimi i inspektorëve të armëve kimike në zonat me probleme dëshmon qartë që kalimi atje nuk është i pamundur.
Top Channel