Ceremonia e varrimit të ish-oficerit nazist, Erih Priebke, që ndërroi jetë në moshën 100-vjeçare në Romë, javën e kaluar, u anulua, pasi protestuesit rrethuan makinën ku ndodhej arkivoli i tij.
Mbi 500 persona protestuan, ndërsa po kryhej shërbesa katolike në “Albano Laziale”, duke bërtitur “vrasës”, “ekzekutor”. Shumë prej tyre u përleshën me ekstremistë të djathtë, ndërsa policia përdori gazin lotsjellës për t’i shpërndarë.
Dy persona janë ndaluar, siç raporton “Corriere della Sera”. Ish-oficeri “Es-Es” u dënua në vitin 1998 me burgim të përjetshëm, por për shkak të moshës dhe shëndetit u lejua të shlyejë dënimin në arrest shtëpie në Romë.
Ai vdiq në moshën 100-vjeçare dhe kurrë nuk bëri apologji për veprimet e tij. Priebke ishte një prej oficerëve “es-es”, të pranishëm në vrasjen e djemve dhe burrave në gropat e Ardeatinës në Romë, në vitin 1944, një raprezalje e urdhëruar nga Hitleri, si shpagim për vrasjen e 33 ushtarëve gjermanë në Romë nga luftëtarët e rezistencës.
Prej vdekjes së tij pati debate të shumta për vendin, se ku do të prehej. Vatikani urdhëroi ndalimin e ceremonisë në çdo kishë katolike në Romë. Argjentina, ku ai jetoi për 50 vjet përpara se të esktradohej në Itali, refuzoi ta merrte trupin.
Por, grupi “Shën Piu i Dhjetë”, i akuzuar për prirje të ekstremit të djathtë apo anti-semitike, vendosi të bënte ceremoninë.
Top Channel