" /> ">
Një gjykatë ruse refuzoi lirimin me kusht për kapitenin e anijes së “Greenpeace”, anëtarët e të cilës u arrestuan pasi tentuan të ndërprisnin punën në një platformë naftënxjerrëse ruse në Detin e Veriut.
Së bashku me amerikanin 60-vjeçar Pete Wilcox, do të qëndrojnë në burg edhe dy aktivistët David John Haussman e Camila Speziale, të cilët apeluan kundër arrestit.
Të tre këta persona ndodhen midis 30 aktivistëve të “Greenpeace” që po mbahen në qytetin e Murmanskut, ku do të gjykohen për akuzën e piraterisë detare, duke rrezikuar deri në 15 vjet burgim nëse gjenden fajtorë.
“Greenpeace” ka realizuar disa thirrje të përsëritura për lirimin e aktivistëve, por në konflikt të hapur me këtë organizatë, Moska zyrtare nuk duket e gatshme të tolerojë.
Procesi i nisur ka fituar një vëmendje ndërkombëtare, jo vetëm sepse Moska po vendos në bankën e të akuzuarve anëtarët e shoqatës më të madhe ekologjiste në botë, por edhe sepse midis të pandehurve përfshihen disa shtetas amerikanë, britanikë apo të vendeve të tjera europiane.
Top Channel