Washington Post: Dronët iranianë goditën stacionin e CIA-s në ambasadën në Riad
Raport-progresi për demokracinë dhe të drejtat themelore po pritet me tension në Turqi. Prej tij kushtëzohen negociatat e tjera për anëtarësim në BE, por ndërkohë Ankaraja është lodhur nga Europa.
2013-ta përbën një kthim prapa në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian. Perëndimi nuk i pa me sy të mirë veprimet e dhunshme të policisë kundër demonstruesve gjatë tubimeve masive në parkun Gezi të Stambollit.
Brukseli donte t’i hapte që në qershor bisedimet për kapitullin 22 të “politikës rajonale dhe koordinimit të instrumenteve strukturore, por Holanda dhe Gjermania i bllokuan negociatat për shkak të qëndrimit të ashpër të qeverisë ndaj protestuesve.
Kufizimet ndaj lirisë së shtypit, sipas BE-së në Turqi ekzistojnë ende. Në raport pritet të flitet gjithashtu edhe për një situatë të ngatërruar sa i takon të drejtave të njeriut. Megjithatë në drejtim të Ankarasë nuk do të ketë vetëm kritika.
Paketa e re e saj për demokracinë që përfshin më shumë të drejta për pakicat, si dhe reformat e Erdoganit do të vlerësohen si shenjë progresi. Turqia është që prej 2005-ës kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.
Por zvarritjet e mëdha që i janë bërë rrugës së saj të aderimitë e kanë ulur ndjeshëm interesin e turqve për t’u bërë një ditë pjesë e bllokut. Anketimet e fundit tregojnë se gjysma e tyre nuk e përkrahin më këtë ide, në një kohë kur në 2004-ën, pro anëtarësimit shpreheshin tre në katër të intervistuar.
Një pjesë e turqve në fakt kanë filluar të mendojnë se në periudhën afatgjatë, vendi do t’i arrijë standardet europiane, do të sinkronizohet me to, por nuk do të bëhet kurrë anëtar i bllokut. Megjithatë, nga pikëpamja ekonomike anëtarësimi mund të jetë me vlerë për Turqinë, sepse sic pohojnë ekspertët, vetëm aspiratat e Ankarasë për aderim mund të tërheqin investitorët nga jashtë.
Top Channel