Një grup klerikësh sirianë publikuan një urdhëresë, e cila lejon civilët
që jetojnë nën rrethim dhe në kushtet e urisë ekstreme që të hanë mish
që normalisht është i ndaluar.
Në një video, imamët shpallën se në kushte të tilla, sirianët që do të konsumojnë mace, qen apo gomerë për të mbijetuar do të jenë të falur.
Vendimi i klerikëve vjen pas raportimeve se njerëzit në lagjen e rrethuar të Damaskut, Muadhamija, janë duke vdekur në masë prej urisë.
Organizatat humanitare i kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur qeverisë së Bashar al-Assad që të lejojë ndihmat të hyjnë në këtë zonë të konsideruar si një bastion të kryengritësve, por kërkesat nuk kanë marrë një përgjigje deri më tani.
Megjithatë, disa qindra civilë mundën të largoheshin nga Muadhamija, pas një armëpushimi të shkurtër të vendosur në fundjavë.
Drejtori i organizatës Mjekët pa Kufi, Christopher Stoker, në një lidhje për “BBC” e konsideroi si absurde situatën, ku inspektorët e armëve kimike janë në gjendje të lëvizin lirisht në qytetet siriane, ndërsa organizatat humanitare jo.
Më parë, edhe në rastet kur beteja ishte në kulmin e intensitetit në qytetet e Alepos dhe Homsit janë dhënë urdhëresa (fatva) për lejimin e ngrënies së mishit të ndaluar nga feja.
Top Channel