Mbërrin në SHBA, Liby pritet të përballet me akuzat

15/10/2013 02:10

Terroristi libian, i dyshuar si anëtar i al-Qaeda-s, i cili u kap në fillim të këtij muaji në Tripoli, pas një sulmi të amerikanëve, është transferuar tashmë në SHBA për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij në New York.

Zyrtarët thonë se Abu Anas al-Liby, emri i vërtet i të cilit është Nazih Abdul-Hamed al-Ruqai, është marrë në pyetje në bordin e një anijeve të Marinës, teksa udhëtonte për në SHBA.

Ai akuzohet për lidhje me al-Qaeda-n dhe përfshirje në sulmet me bomba të vitit 1998 ndaj ambasadave amerikane në Afrikën Lindore.

Liby u akuzua zyrtarisht nga një gjykatë në New York, në vitin 2000. Prokurori amerikan për distriktin jugor të New York-ut, Preet Bharara, tha përmes një deklarate se Liby u transferua nën kujdestarinë e autoriteteve të zbatimit të ligjit, gjatë fundjavës.

I dyshuari pritet të dalë përpara oficerit gjyqësor ditën e martë.

Ndërkohë, në Libi pati revoltë kundër sulmit të komandove amerikane më 5 tetor, pas të cilit u bë i mundur arrestimi i të dyshuarit të al-Qaeda-s. Të shumtë ishin ata që e konsideruan sulmin si një shkelje e sovranitetit të Libisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, doli në mbrojtje të kapjes së Liby-t gjatë sulmit në një territor libian, më 5 tetor, duke e quajtur atë “një objektiv ligjor dhe i përshtatshëm”. Qeveria libiane i kërkoi shpjegime Amerikës rreth sulmit. Ministri i Drejtësisë në Libi thirri ambasadorin amerikan në këtë vend për ta marrë në pyetje gjatë javës së kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA