Itali, shpëtohen 400 klandestinë në det

15/10/2013 00:00

Janë gati 400, emigrantët ilegalë të shpëtuar sot nga mbytja, gjatë katër operacioneve të motovedetave ushtarake italiane, që patrullojnë kanalin e Siçilisë dhe zonat detare përreth.

Pas hetimeve të Komandës së Karabinierëve dhe Repartit Operativ të Vibo Valentia janë ndaluar 10 persona, që mendohet se janë skafistët, të cilët udhëtonin me një grup prej 226 emigrantësh, mes tyre 45 gra e 79 fëmijë.

Në bashkëpunim me forcat ajrore portugeze, u zbulua në ujrat ndërkombëtare një anijë e madhe, nga e cila emigrantët zbrisnin në mjete më të vogla lundrimi. Në filmimet e kryera gjatë natës, me ndihmën e rrezeve infra të kuqe, shihet anija e madhe që largohet drejt Egjiptit, ndërsa barka e vogël afrohet në brigjet italiane.

Ndërkohë, ka nisur me ritëm të plotë operacioni “Mare Nostrum” që, siç shpjegoi ministri italian i  Mbrojtjes, Mario Mauro, është një operacion humanitar dhe ushtarak, që parashikon forcimin e dispozitivëve të vigjilencës dhe patrullimit në det të hapur, për të rritur nivelin e sigurisë së jetëve njerëzore.

Do të përdoren pesë njësi detare me anije amfibë dhe dronë, dispozitivë kontrolli edhe nga ajri të pajisur më së miri. Operacioni është strukturuar në tre nivele: bashkëpunimi ndërkombëtar synon, që emigrantët të mos nisen nga vendet e origjinës, niveli tjetër është ai i kontrollit të kufijve dhe i treti, ai i strehimit dhe ndihmës së emigrantëve që mbërrijnë.

Llogaritet që operacioni do të kushtojë rreth 10 milionë euro në muaj. Këto operacione vijnë një ditë pasi Italia lajmëroi për rritjen e patrullimeve në Detin Mesdhe, pasi disa qindra emigrantë janë mbytur vetëm gjatë këtij muaji, në përpjekje për të lënë Afrikën për një jetë më të mirë në vendet e BE-së.

Mungesa e stabilitetit politik në disa prej vendeve të Afrikës Veriore dhe luftë civile në Siri ka bërë që fluksi i emigrantëve të rritet në mënyrë dramatike gjatë këtij viti.

Nëse në 2012-n në Itali zbarkuan 10 mijë klandestinë, vetëm gjatë dhjetë muajve të parë të 2013-s numri ka tejkaluar 32 mijë. Shumica e emigrantëve janë sirianë, somalezë apo eritrianë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB