Negociatorët e Iranit pritet të ofrojnë lëshimë mbi programin bërthamor në këmbim të heqjes së pjesshme të sanksioneve, në raundin e ri të bisedimeve, që do të nisin të martën në Gjenevë, bëjnë të ditur diplomatët.
Kompleksiteti i propozimeve nënkupton se një marrëveshje e plotë nuk pritet në fund të negociatave dy ditore, pasi do të mbeten diferenca të qenësishme mes iranianëve dhe Perëndimit me negociimin e pozicioneve, por diplomatët theksojnë një nivel të ri angazhimi, të paparë ndonjëherë prej vitesh.
Ministri i Jashtëm iranian dhe kryenegociatori, Mohammad Javad Zarif, publikoi një mesazh në Facebook duke thënë se bisedimet e Gjenevës ishin “fillimi i një rruge të vështirë për t’u ndjekur përpara, që do të konsumojë relativisht shumë kohë”.
Ai tha: “Shpresoj që, duke nisur nga e mërkura, ne të arrijmë një marrëveshje mbi një plan të hartuar drejt shtegut që do të na çojë në një zgjidhje. Por, megjithë dëshirën e mirë të palës tjetër, arritja e një marrëveshjeje të detajuar dhe fillimi i implementimit do të kërkojë edhe një tjetër takim në nivel ministror”.
“Harta e rrugës” së Iranit për bisedimet është përshkruar me terma të paqarta, të premten, nga zëvendësi i Zarif, Abbas Araqchi, i cili tha se Teherani do të negociojë “formën, sasinë dhe nivelet e variueshme të pasurimit të uraniumit”, por nuk do të pranojë nxjerrjen e uraniumit tashmë të pasuruar jashtë vendit.
Elementë të planit u detajuan gjatë një vizite në samitin e OKB-së në New York, gjatë muajit të kaluar, nga Zarif dhe presidenti i zgjedhur rishtazi, Hassan Rouhani, bën të ditur “The Guardian”.
Zyrtarët iranianë thanë se Teherani duhet të jetë i përgatitur për të limituar programin e pasurimit në dy prej impianteve, me shumë mundësi të dyja në Natanz, duke sugjeruar një gatishmëri në pezullimin e pasurimit në vendet e nëndheshme sensitive në Fordoë.
Irani është i përgatitur gjithashtu të pezullojë prodhimin e 20% të uraniumit të pasuruar, një tjetër shqetësim madhor për komunitetin ndërkombëtar, pasi është një hap drejt konvertimit të saj në materiale luftarake prej 90% me lëndë bërthamore.
Megjithatë, Teherani nuk do të pranojë të dorëzojë stoqet aktuale të uraniumit të pasuruar në rreth 20% mesatarisht, aktualisht rreth 190 kg, por kompromiset janë të mundshme, duke e bërë këtë sasi më pak shqetësuese për përhapjen e mëtejshme.
Kjo sasi mund të mbahet nën kontroll nga ndërkombëtarët, në një ambient të largët të vendit, ose mund të kthehet në lëndë djegëse për reaktorët, një formë që është tepër e vështirë të pasurohet më tej.
Irani është i përgatitur edhe për negociata mbi numrin e centrifugave të përdorshme për pasurimin e uraniumit në 3,5%, e përshtatshme për lëndë djegëse për stacionet e fuqisë bërthamore, dhe në lidhje me sasinë e prodhimit të çdo centrifuge.
Top Channel