Indi, pas ciklonit vijnë përmbytjet

15/10/2013 00:00

Përmbytjet kanë përfshirë Indinë pas ciklonit “Phailin”, me punëtorët që po luftojnë për të shpëtuar jetën e dhjetëra mijëra banorëve në rajonin e Orisës.

Vërshimi i ujërave ka lënë të pastrehë rreth 100 mijë banorë në rajonet Majurbanj dhe Balasore, njoftojnë autoritetet, sipas të cilave alarmi për rrezikun është dhënë edhe në shtetin fqinj të Biharit.

Bilanci i viktimave nga cikloni, më i fuqishmi në 14 vitet e fundit, është rritur ndërkohë në 27 të vdekur në Orisa, plus katër viktima të tjera nga përmbytjet.

Autoritetet druhen se shirat e dendura të rëna në të paktën dy rajone pas dobësimit të stuhisë ndërruan kurs dhe lëvizën drejt pjesëve veriore të Biharit, në kufi me Nepalin.

Cikloni “Phailin” u përplas në lindje të Indisë gjatë fundjavës dhe shkatërroi shumë shtëpi në zonat bregdetare, rrëzoi pemë dhe bllokoi rrugët në shtetet Orisa dhe Andhra Pradesh.

Por përpjekjet për evakuim, të cilësuara nga autoritetet si më të mëdhatë në historinë e Indisë, garantojnë se bilanci i vdekjeve do të mbetet i ulët.

Që në momentet e para të dobësimit të stuhisë, një operacion i gjerë nisi të zbatohej për të ndihmuar rreth 1 milionë banorë të zhvendosur.

Aktualisht në Orisa, lumenjtë e mëdhenj si Budhabalanga dhe Subarnarekha janë të tejmbushur, duke shkaktuar përmbytje, njoftojnë autoritetet.
Operatorët për përballimin e katastrofave natyreore janë angazhuar për t’iu ardhur në ndihmë banorëve.

“Ne kemi filluar të shpërndajmë ushqime nga ajri në Balasore. Situata e krijuar nga përmbytjet atje është shqetësuese”, deklaroi një zyrtar i qeverisë lokale për një agjenci indiane lajmesh.

Para se cikloni të përplasej në tokë, qindra mijëra persona u evakuuan dhe tani ata po kthehen në shtëpitë e tyre. Gjithësesi, shumë prej tyre po qëndrojnë nëpër streha të improvizuara pasi fshatrat dhe shtëpitë ku banojnë janë shkatërruar.

Top Channel