Bankat transferojnë paratë

15/10/2013 00:00

Bankat shqiptare vazhdojnë të transferojnë në masë kursimet e qytetarëve
jashtë shtetit. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në gusht të
këtij viti, investimet neto të bankave në ekonomitë e huaja arritën në
mbi 2 miliardë dollarë.

Krahasuar me vitin e kaluar shifra është rritur me mbi dhjetë për qind, ndërsa në harkun kohor të katër viteve ajo është tetëfishuar. Pjesa dërrmuese e këtyre fondeve janë investuar si depozita me afat në bankat e huaja, ndersa të tjerat janë llogari rrjedhëse por edhe kredi që bankat shqiptare kanë dhënë tek bankat e huaja.

Të dhënat tregojnë se lista e transferimeve kryesohet nga bankat greke, që kanë nxjerrë jashtë shtetit mbi 540 milionë dollarë. Në vendin e dytë vijnë italianet dhe më pas ato me kapital tërësisht shqiptar të cilat kanë nxjerrë jashtë Shqipërisë mbi 200 milionë dollarë.

Në mars të këtij viti Banka e Shqipërisë tentoi ta ndalë këtë fenomen duke miratuar një masë që i detyronte bankat të shtonin kapitalin e paguar kur investojnë fonde jashtë shtetit. Shifrat tregojnë se përpjekja, një formë tipike e kontrollit mbi kapitalin, nuk ka funksionuar. Dhe shkaqet sipas ekspertëve janë kërkesa e dobët e sektorit privat për kredi, por edhe perceptimi i bankave për rreziqe të rritura në ekonominë shqiptare.

Top Channel