Siri, luftimet pengojnë inspektorët

14/10/2013 00:00

Kreu i organizmit të ngarkuar me shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë thotë se luftimet po pengojnë hyrjen në disa prej zonave të kontrolluara nga rebelët.

Ahmet Uzumçu, i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike argumentoi se nevojiten armëpushime të shkurtra në mënyrë që ekspertët të arrijnë të bëjnë punën e tyre.

Shpresoj shumë, rrëfeu ai për mediat, që çmimi Nobel i dhënë grupit javën e kaluar ta ndihmojë misionin e inspektorëve në vendin e trazuar.

“Zyrtarët sirianë kanë qenë bashkëpunues dhe ia kanë lehtësuar punën ekspertëve tanë. Deri tani, ata kanë kontrolluar 5 nga 20 komplekset me kapacitetin të prodhojnë armë kimike. Por disa prej tyre ndodhen në territore të pushtuara nga rebelët dhe ata ndryshojnë vazhdimisht qëndrim. Për këtë arsye i kërkojme të gjitha palëve që ta mbështesin këtë mision e të mos e bëjnë më të vështirë nga ç’është”, deklaroi Uzumçu.

ONAK dhe OKB-ja kanë dërguar në Siri që prej 1 tetorit 60 ekspertë dhe staf mbështetës. Baza e trye është në Damask, prej nga ata lëvizin drejt vendeve që duhen kontrolluar.

Besohet se Siria zotëron më shumë se 1.000 ton agjentë kimikë si gazi nervor sarin, ai mustard apo edhe me i rrezikshmi nga të gjithë, VX.

Shtetet e Bashkuara besojnë se arsenali në fjalë mund të përhapet përmes avionëve, raketave balistike dhe predhave të artilierisë.

Damasku pranoi sot konventën kundër armëve kimike. Në 1972-shin ai pati firmosur konventën e armëve biologjike dhe toksike, por nuk e kishte ratifikuar kurrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB