Washington Post: Dronët iranianë goditën stacionin e CIA-s në ambasadën në Riad Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ka bërë thirrje për një ndryshim të kursit në politikën evropiane të emigracionit.
“Evropa duhet ta pranojë më në fund se është një kontinent emigracioni dhe për këtë arsye ne kemi nevojë për një reformë urgjente të ligjeve tona të imigracionit”, tha Schulz në emisonin e kanalit të parë televiziv gjerman ARD, “Raport nga Berlini” dhe për revistën “Spiegel Online”.
Ai propozon për kontinentin e vjetër një sistem ligjor emigracioni, siç i kanë pasur të gjitha rajonet e mëdha të emigrimit në botë, si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia.
Schulz bëri thirrje për vendosjen e një çelësi të shpërndarjes, i cili do të rregullonte pranimin e emigrantëve në shtetet anëtare të BE-së.
“Nëse në një ishull si Lampedusa, i cili ka vetëm 6.000 banorë, vendosen 10.000 refugjatë, atëherë për të kjo është katastrofë. Por nëse këta 10.000 njerëz shpërndahen në 28 shtetet anëtare të bllokut 507 milionë banorësh, këtë skenar unë e shoh si plotësisht të mundshëm. As Italia e as Malta nuk mund të lihen vetëm në përballimin e fluksit të emigrantëve. Unë besoj se kjo duhet të jetë një detyrë europiane”, nënvizoi Schulz.
Rreth 350 vetë humbën jetën në 3 tetor pranë brigjeve të Lampeduzës. Vetëm 155 nga gati 550 refugjatët në bordin e mjetit të fundosur arritën t’i shpëtonin dallgëve të detit.
Që prej tragjedisë, në BE është diskutuar shumë për politikën evropiane ndaj refugjatëve dhe të premten, në jug të Maltës dhe Lampeduzës, u përmbys një tjetër anije e vogel me refugjatë nga Siria.
Schulz kritikoi ministrin e Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich (CSU), i cili u fokusua në debatin e refugjatëve në “polemika boshe dhe lojra më numra”.
Friedrich ka theksuar vazhdimisht se, pavarësisht nga tragjeditë e fundit të refugjatëve, ai nuk sheh arsye për një ndryshim në politikën e emigracionit në Evropë.
Politikani i Unionit Kristian Social, duke iu referuar statistikave mbi numrin e azilkërkuesve në Gjermani ka hedhur poshtë kërkesat që vendi i tij të angazhohet më intensivisht në politikën e refugjatëve.
Top Channel