Kriza politike në SHBA

14/10/2013 22:05

Takimi i presidentit Barack Obama me udhëheqësit e dy partive në Kongres u shty, sepse ligjvënësit amerikanë po vazhdojnë bisedimet për rritjen e tavanit të borxhit.

Në takim ishte parashikuar të merrnin pjesë kreu i shumicës demokrate në Senat, Herry Reid, kreu republikan në Senat, Mitch McConnell, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner dhe kryetarja e demokratëve, Nancy Pelosi.

Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë shpjegoi se “takimi u shtyu për t’u dhënë kohë udhëheqësve të Senatit të shënojnë progres, për të gjetur një zgjidhje për rritjen e kufirit të borxhit dhe rihapjen e qeverisë”.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, mbetet e paqartë se kur do të zhvillohet takimi mes shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe përfaqësuesve të dy partive, në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.

Presidenti amerikan, Barack Obama, bëri paralajmërimin e tij, kur ndaloi në një restorant për të varfërit: “Nëse këtë javë nuk shënojmë progres, në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, dhe nëse republikanët nuk shprehin vullnetin për të lënë mënjanë shqetësimet e tyre, për të bërë atë që është e mirë për vendin, ne kemi mundësinë më të mirë për të mos paguar dhe kjo do të ketë një efekt shkatërrues në ekonominë tonë”.

Por, ai tha se është shënuar progres në bisedime. Të hënën, kreu i demokratëve në Senat, Herry Reid, u shpreh shumë optimist për arritjen e një marrëveshjeje, po kështu edhe republikani Mitch McConnell, i cili foli për disa diskutime shumë të dobishme me kreun e demokratëve.

Analistët thonë se bisedimet në Senat paraqesin shpresën e vetme dhe të fundit për arritjen e një pakti për tavanin e borxhit, përpara së enjtes, pas dështimit të bisedimeve mes presidentit amerikan dhe Dhomës së Përfaqësuesve, javën e kaluar.

Zyrtarët paralajmërojnë për një katastrofë ekonomike, nëse nuk rritet tavani i borxhit. Departamenti i Thesarit po përdor ato që quhen ‘masa të jashtëzakonshme”, për të paguar detyrimet e vendit, që kur u arrit në kufirin aktual të borxhit.

Këto masa do të përfundojnë më 17 tetor. Të dielën, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, paralajmëroi se, nëse nuk zgjidhet çështja e kufirit të borxhit, atëherë kjo do të thotë një recesion tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA