“Gabim nëse ulet presioni mbi Iranin”

14/10/2013 23:50

Për kryeministrin izraelit do të ishte një “gabim historik”, nëse ulet presioni ndaj Iranit për programin e tij bërthamor.

Në fjalimin e tij, në sesionin e ri e parlamentar, Benjamin Netanjahu tha se Izraeli do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Iranit, pikërisht në këto momente.

“Çdo lëvizje, për të hequr dorë nga qeveria iraniane, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të forcojë elementet e tij të pakomprometueshëm dhe udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Kamenei, do të perceptohet si fitues”.

Fjalët e tij vijnë në prag të takimit të Gjenevës, mes Iranit dhe grupit të njohur si P5+1, të përbërë nga Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia, SHBA dhe Gjermania.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Xhavad Zarif, shpreson që bisedimet të çojnë drejt një zgjidhjeje. Në takimin e Gjenevës, Irani do të përfaqësohet nga zv/ministri i Jashtëm, Abas Arakci.

Këto janë bisedimet e para, prej kohes kur Hasan Ruhani u zgjodh president i vendit, në muajin gusht.

Negociatorët perëndimorë i kanë kërkuar Iranit të ndalojë prodhimin dhe ruajtjen e uraniumit të pasuruar në masën 20%, që sipas tyre do të thotë një hap larg armës bërthamore.

Ata gjithashtu kërkojnë që disa prej rezervave të dërgohen jashtë vendit, si dhe të mbyllet impianti i Fordos, në afërsi të Komit, ku bëhet pasurimi i uraniumit në shkallë të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA