Francë, fuqizohet ekstremi i djathtë

14/10/2013 15:50

Një kandidatë i ekstremit të djathtë francez arriti të mposhtë një rival të drejtëpërdrejtë të së djathtës, në një zgjedhje të konsideruar si “barometër” për popullaritetin e partive në vend.

Laurent Lopez fitoi një vend në Këshillin Rajonal të Varit, duke mposhtur rivalin e së djathtës me 53,9% të votave.

Duke folur në një televizion kombëtar, liderja e Frontit, Marine le Pen deklaroi se “ky rezultat tregon një dëshirë të vërtetë për ndryshim nga ana e francezëve”.

Partia, e cila kundërshton pranimin e emigrantëve dhe kërkon, midis të tjerash daljen e Francës nga monedha e përbashkët euro e nga Bashkimi Europian, është duke fituar gjithmonë e më shumë pikë në sondazhet e realizuar së fundmi.

Rritja e popullaritetit të ekstremit shpjegohet me rritjen e të zhgënjyerve në radhët e atyre që votuan në zgjedhjet e fundit për socialistët e presidentit Hollandë dhe nga radhët e të djathtës, që gjejnë tek ekstremi të mishëruara premtime për një luftë më të ashpër ndaj krimit dhe emigracionit, dy prej problemeve më shqetësuese të shoqërisë së sotme franceze.

Këshilli Rajonal i Varit është një strukturë vendore, që kontrollon pushtetin e kryebashkiakëve në këtë krahinë.

Zgjedhjet për këtë vend në këshill u realizuan në qytetin e Brignoles, shtëpi e 15 mijë banorëve në juglindje të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA