Debati për kombëtaren

14/10/2013 00:00

“Ka qenë një periudhë 10-vjeçare zhgënjimi, pasi kanë propaganduar edhe një hap për vendin e tretë, pas edhe një për Botërorin, por tani ç’duhet t’i themi këtij opinioni?”.

3 humbjet e fundit të kombëtares shqiptare kanë lënë shije të keqe te tifozët kuqezi të cilët më shumë se kurrë, këtë edicion kishin shpresa me shume se me pare të ishin pjesë e një evenimenti te madh, siç është Botërori.

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare në vitet 90, Neptun Bajko thekson se keqadministrimi i futbollit në Shqipëri po sjell këtë zhgënjim që nuk po merr fund.

“Problemi më i madh qëndron tek FSHF, problemi më i madh qëndron tek klubet si drejtohen, tek politika që ndërhyn në momente të caktuara dhe dëmton rëndë lojën”, thotë Bajko.

Ish-trajneri i Partizanit thekson se për të patur një kombëtare në nivele të larta europiane, duhet në radhë të parë të krijohet një kampionat vendas, me të cilën FSHF vazhdon akoma me eksperimentime.

“Me kampionatin bëhen eksperimente. Një herë me dhjetë ekipe, pastaj me 12 apo 14. Vendosen rregulla që nuk zbatohen dhe i interesojnë një pjese të vogël. Duhet të ndahet ky futboll, i përket privatëve apo bashkive përfundimisht. Përse nuk e bëjnë?”, shtoi ish-trajneri.

Bajko deklaron se futbolli ynë do të ngrihet vetëm atëherë kur vëmendja e drejtuesve të FSHF të adresohet tek moshat e reja.

“Futbolli vuan jo nga idetë dhe nga vizioni, sepse nëse nuk ndërtohet sistemi i qëndrueshëm strategjik afatgjatë, nuk do të ketë asnjë dobi nga kampionati me 10 apo 12 skuadra. Në Shqipëri është fat i madh që futbollin e duan shumë, por nëse më përpara kishim 100 fusha tani s’kemi as 10. Ku do stërviten këta fëmijë, ku do të stërviten dhe ky është edhe zhgënjimi më i madh për prindërit që investojnë miliona për t’i bërë futbollistë”, shtoi Bajko.

Sipas Bajkos, rikthimi i klasave sportive do të ishte një nga shërbimet më të mira që mund t’i bëhet futbollit shqiptar, i cili dita ditës po fundoset gjithmonë e më shumë.

“Kam dëgjuar edhe për këtë që do të ngrihen shkolla, e kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Sistemi zinxhir që do të marrë formën e duhur siç e ka bota, e siç e kishim ne më përpara, prandaj dhe ne kishim kampionat e futbollistë të mirë, stadiume plot. Nuk të vjen njeri në stadium nëse, më vjen ndot ta them, ka një ndeshje e shitur. i ka dalë tymi dhe flaka këtij futbolli”, përfundoi Bajko.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA