Siri, rrëmbehen punonjësit e Kryqit të Kuq

13/10/2013 18:10

Komuniteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka njoftuar se njerëz të armatosur kanë marrë peng 6 prej punonjësve të tij dhe 1 vullnetar të Gjysmëhënës së Kuqe, në veri-perëndim të Sirisë.

Agjencia e ndihmës së shpejtë nuk ka pasur asnjë kontakt me të armatosurit, bëri të ditur një zëdhënës i ICRC-së.

Më herët, media shtetërore e Sirisë tha se të armatosurit hapën zjarr ndaj stafit të Kryqit të Kuq, që po udhëtonin në rrugën Sirmin-Saraqeb, në provincën e Idlibit.

ICRC shton se ka hasur vështirësi në pasjen e aksesit anembanë Sirisë për të ofruar ndihmë ndaj të plagosurve dhe të shpërngulurve.

“Mund të konfirmoj se 6 anëtarë të stafit të ICRC dhe 1 vullnetar sirian i Gjysmëhënës së Kuqe janë marrë peng pranë Idlibit në veri-perëndim të Sirisë”, tha zëdhënësi i ICRC, Ewan Watson, për “Reuters”. “Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të tyre, një ekip i cili vetëm sa po ofronte ndihmë humanitare ndaj njerëzve në nevojë, gjë që e bëjmë në të dy palët e konfliktit në Siri”, shtoi ai.

Ai refuzoi të zbulonte identitetin, gjininë dhe kombësinë e punonjësve të rrëmbyer. Agjencia shtetërore e lajmeve siriane, SANA, kishte cituar më herët një zyrtar të paidentifikuar, teksa thoshte se punonjësit u rrëmbyen dhe ishin dërguar në një vendndodhje të panjohur, pasi të armatosurit bllokuan ata që po i ndiqnin dhe qëlluan ndaj karvanit të tyre.

Një tjetër zëdhënës i ICRC, Saleh Dabbakeh, tha për “Associated Press” se sulmi ndodhi rreth orës 11:30 me orën lokale, të ditës së diel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA