Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen vetëm ditë larg përfshirjes në një “krizë shumë të rrezikshme”.
Aktualisht, buxheti qeveritar në SHBA është ngrirë që prej datës 1 Tetor, si rrjedhojë e mungesës së një marrëveshje mes demokratëve e republikanëve për rritjen e tavanit të borxhit.
Tavani i mëparshëm i borxhit u tejkalua në muajin Maj dhe rritja e tij është kundërshtuar deri më tani prej opozitës.
Kim i kërkoi ligjvënësve amerikanë që të gjejnë një marrëveshje për tavanin e borxhit përpara se në datën 17 Tetor, SHBA të tërhiqet nga një sërë pagesash thelbësore, përfshi ato të kësteve të borxhit të jashtëm, sigurimeve apo pagat në ushtri e shëndetësi.
Sipas Kim, “mbetja e Thesarit të shtetit amerikan pa fonde do të ishte një ngjarje katastrofike për të gjithë ekonominë botërore. Ndërkohë, çdo ditë që kalon i rrit edhe më shumë kostot për vendet në zhvillim. Besimi i ekonomisë botërore po bie, interesat e huave po rriten, ndërsa rritja botërore po ngadalësohet”, deklaroi lideri i Bankës Botërore.
Top Channel