Prokurori publik i Egjiptit ka urdhëruar nisjen e një hetimi për vdekjen e një shtetasi amerikan brenda në paraburgim. Ai tha se personi në fjalë, i njohur si një oficer i tërhequr nga detyra i ushtrisë amerikane, James Henry, u gjet i varur në derën e tualetit, me rripin e brezit dhe lidhëset e këpucëve.
Henry, 66 vjeç, raportohet të jetë dërguar në Rripin e Gazas në gusht, në kohën kur u arrestua në veri të Sinait për shkak të shkeljes së shtetrrethimit.
Një zyrtar i ambasadës amerikane në Kajro tha se vdekja ishte “një vetëvrasje në dukje”. Sipas raportimeve lokale, vdekja e oficerit të tërhequr nga detyra vjen 1 ditë, pasi autoritetet i thanë atij se do ta shtynin mbajtjen e tij në paraburgim me 30 ditë të tjera.
Zyrtarët thanë për agjencinë e lajmeve AFP se delegacioni i ambasadës amerikane vizitoi James Henry në qelinë e tij, gjatë javës së kaluar, në qytetin Ismailija.
Prokurori tha se Henry u arrestua më 28 gusht në rrugën mes El Arish dhe Rafah, në veri të Sinait, për shkak se shkeli shtetrrethimin nga muzgu në agim. Shtetrrethimi ishte vendosur në pjesën më të madhe të Egjiptit, pas dekretit të qeverisë së përkohshme, për të ulur trazirat e nisura pas rrëzimit në korrik të presidentit islamik Mohammed Morsi.
Në një deklaratë, prokurori tha se Henry kishte pasur në duar një hartë të Egjiptit dhe një pajisje elektronike të avancuar. Zyrtarë të ambasadës amerikane në Kajro thanë se ishin në kontakte me autoritetet egjiptiane dhe se po ofronin të gjitha shërbimet këshilluese të mundshme.
Henry është qytetari i dytë i huaj që ndërron jetë në paraburgimin policor gjatë këtyre dy muajve të fundit. Një shtetas francez u gjet u vdekur në stacionin e policisë së Kajros, në shtator, që besohet t’i jetë shkaktuar nga të burgosurit e tjerë pas një grindjeje.
Top Channel