Grupi më i madh i koalicionit opozitar sirian deklaroi se nuk do të marrë pjesë në bisedimet për paqen në Gjenevë të Zvicrës.
Udhëheqësi i Këshillit Kombëtar Sirian, Xhorxh Sabra, tha se grupi i tij nuk do të negociojë me qeverinë siriane, sepse nuk është momenti i duhur, kur populli vazhdon të vuajë.
Ai i tha agjencisë së lajmeve AFP se “Këshilli Kombëtar Sirian ka marrë një vendim të prerë, të mos shkojë në Gjenevë në këto rrethana. Guta është e rrethuar, ku është e ndaluar të dërgosh edhe ushqim. Janë këto kushtet, që na lejojnë të mbërrijmë në një tranzicion demokratik në Siri?”.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, SHBA dhe Rusia kërkojnë që bisedimet të zhvillohen muajin e ardhshëm. Sabra kritikoi ashpër bashkësinë ndërkombëtare, duke e akuzuar se dështoi për ta dënuar qeverinë siriane, pas sulmit me gaz sarin më 21 gusht, në periferi të Damaskut, ku humbën jetën qindra persona.
“Bashkësia ndërkombëtare është përqëndruar në armët kimike dhe ka lënë pa ndëshkuar vrasësin, e ka lënë në harresë viktimat”.
Këshilli Kombëtar Sirian, grupi kryesor opozitar në Siri, u zgjerua vitin e kaluar, duke u shndërruar në një koalicion të gjerë, por mbetet sërish faktori kryesor.
Deklarata e Xhorxh Sabras vjen pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, do të takojë të dërguarin e OKB-së dhe Ligës Arabe, Lakdar Brahimi, në Londër, të hënën.
Disa prej grupeve kryesore kryengritëse në Siri kundërshtojnë idenë e bisedimeve. Grupet radikale, të lidhura me Al Kaedën, kanë vendosur t’i binden urdhrit të Ajman al Zauahirit, për të luftuar për një shtet islamik.
Top Channel