“Shutdown”: Obama pranë firmosjes së “tavanit”

12/10/2013 04:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, pritet të nënshkruajë një “pakt pa kushte” në lidhje me rritjen e përkohshme të tavanit të borxhit, duke nënkuptuar pa kërkesa të tjera të republikanëve në lidhje me buxhetin apo politikat e administratës së tij, bëri të ditur zëdhënësi i tij.

Pohimet e Jay Carney vijnë pas bisedimeve, që synojnë t’i japin fund krizës së dyfishtë fiskale, që kërcënon ekonomitë e Shteteve të Bashkuara dhe botës. SHBA-të ndodhen aktualisht në ditën e 11-të të mbylljes së pjesshme të qeverisë federale.

Por, Statuja e Lirisë, Kanioni i Madh dhe Mali Rushmore, të mbyllura për turistët prej “shutdoën”-it, do të rihapen tashmë. Financimi i qeverisë do të ofrohet nga shtetet e Nju Jorkut, Arizonës dhe Dakotës Jugore, ndërkohë që parqe të tjera kombëtare do të mbeten të mbyllura për shkak të bllokimit në Uashington.

Përveç “shutdown”-it (mbylljes së pjesshme të qeverisë), SHBA-të po i drejtohen falimentit, nëse nuk arrijnë të rrisin kufirin e borxhit të vendit deri më 17 tetor.

“Nëse Kongresi do të kalojë rritjen e pastër të tavanit për një periudhë afatshkurtër në mënyrë që të shmanget falimenti, presidenti do ta nënshkruajë atë”, tha Carney, pas disa raunde bisedimesh mes Obamës dhe republikanëve të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Por, Carney ritheksoi se Shtëpia e Bardhë nuk do të pranojë një rritje të tavanit të borxhit me kushte të tjera bashkangjitur saj, duke thënë se gjëja më e drejtë që mund të bëhet është “të hiqen armët nga tavolina e bisedimeve”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se “nuk ka ende arsye të pranueshme për të vazhduar me mbylljen e pjesshme të qeverisë”, që nisi më 1 tetor, pasi republikanët refuzuan të kalonin buxhetin e ri, nëse Obama dhe demokratët nuk do të pranonin shtyrjen e nënshkrimit të reformës “Obamacare” (reforma e Kujdesit Shëndetësor), të hartuar që më 2010-n, ose të shmangnin financimin e tij.

Shtëpia e Bardhë ka theksuar vazhdimisht se nuk do të heqë dorë nga ky projektligj, as të negociojë në lidhje me çështje më të rëndësishme të buxhetit, deri sa republikanët të votojnë dhënien fund të kërcënimit për faliment apo të rihapin qeverinë.

Edhe pas bisedimeve të vazhdueshme mes Obamës dhe kreut të Dhomës, John Boehner, i cili ka kryesuar negociatat në emër të republikanëve që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, lideri i mazhorancës së Senatit, Harry Reid, një demokrat, tha se rritja e tavanit të borxhit për 6 javët e ardhshme nuk është e mjaftueshme.

“Ne nuk besojmë se shtyrja me 6 javë e falimentit katastrofik do të jetë i mjaftueshëm për t’i dhënë ekonomisë besueshmërinë e nevojshme për të vazhduar rritjen dhe rikuperimin”, tha Reid.

Senati i kontrolluar nga demokratët pritet të votojë të shtunën rritjen për 15 muaj të tavanit të borxhit, gjë që do ta hiqte këtë çështje nga fushata kongresionale e vitit të ardhshëm. Ndërkohë, republikanët e Senatit u larguan nga takimi i së premtes në Shtëpinë e Bardhë, duke e përshkruar atë si konstruktive.

Top Channel