Libi, Zeidan: Përpjekje për grusht shteti

12/10/2013 00:00

Kryeministri libian Ali Zeidan ka deklaruar se pengmarrja e tij e shkurtër dy ditë më parë ishte një “përpjekje për grusht shteti”, duke fajësuar rivalët e tij politikë për sulmin.

Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, ai tha se një parti politike në Kongres, emrin e të cilës nuk e përmendi, ishte prapa rrëmbimit të tij.

Ali Zeidan u rrëmbye nga një hotel në Tripoli ditën e enjte dhe u mbajt peng për disa orë nga persona të armatosur, që thuhet se u përkasin grupeve militante.

Ai vlerësoi grupin e armatosur që shkoi për ta liruar dhe më vonë bëri thirrje për qetësi në vend, që po del gjithmonë e më shumë jashtë kontrollit të ligjit.

Në fjalimin televiziv bashkë me disa anëtarë të kabinetit të tij, zoti Zeidan tha se kjo pengmarrje shënon gjurmët e një përpjekjeje për grusht shteti kundër legjitimitetit.

“Një parti politike ishte prapa aktit kriminal dhe terrorist. Kur anëtarët e saj dështuan ta rrëzonin qeverinë në mënyrë demokratike, u kthyen nga përdorimi i forcës”, deklaroi Zeidan.

Kryeministri e cilësoi partinë rivale si një “pakicë të rrezikshme” në Kongres dhe iu referua përpjekjeve të saj për të siguruar vota për ta shkarkuar atë nga detyra.

Fjalimi i tij hodhi dritë mbi një betejë politike të brendshme që konsiderohet si burimi i mungesës së progresit të Libisë, që prej vitit 2011 kur koloneli Muammar Gaddafi ra nga pushteti.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca dënuan rrëmbimin dhe shprehën mbështetjen e tyre për kalimin e tranzicionit në Libi.

Motivet e rrëmbimit mbeten të paqarta, me dyshimet e para që ranë mbi një milici, në shenjë hakmarrjeje ndaj arrestimit në Tripoli të një lideri të Al Kaedës nga ushtria amerikane.

Shumë prej milicive janë në regjistrin e pagave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme, në mungesën e një policie efikase dhe një ushtrie të mirëfilltë, por aleanca e tyre është në dyshim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB