Një kriminel nazist i Luftës së Dytë Botërore, Erich Priebke ndërroi jetë në moshën 100-vjeçare në Itali, raportuan të premten mediat ndërkombëtare.
Priebke u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 1998 për rolin e luajtur në vrasjen e 335 civilëve italianë në zonën e njohur si shpellat e Ardeatines në vitin 1944, kur shërbente në ushtrinë gjermane si një oficer “SS”.
Për shkak të problemeve të tij shëndetësore, Priebke u lejua që të vuante dënimin e përjetshëm i mbyllur në një banesë në Romë.
Një dënim i tillë u prit me irritim nga shumë italianë, të cilët konsideruan se Priebke po paguante një kosto shumë të ulët për krimet e tij të tmerrshme.
Në rolin e tij si një oficer i trupave naziste elitë “SS”, Priebke luajti një rol aktiv në masakrimin e 335 burrave dhe djemve, në një raprezalje të urdhëruar nga Hitleri për vrasjen e 33 ushtarëve gjermanë në Ardeatina.
Priebke nuk shprehu kurrë keqardhje për krimet që realizoi, duke këmbëngulur se ai vetëm sa kishte zbatuar urdhërat dhe refuzoi të kërkonte falje edhe përpara thirrjeve të përsëritura të disa shoqatave të ndryshme të ngritura nga familjarët e viktimave të Luftës së Dytë Botërore.
100-vjeçari jetoi për dekada në Argjentinë, deri kur u kap në vitin 1998 dhe u ekstradua në Itali ku u përball me drejtësinë.
Top Channel