SHBA, progres dhe bisedime për ngërçin

11/10/2013 05:00

Progres! Dukej se diçka e tillë nuk ekzistonte në Washington prej javësh, teksa republikanët dhe demokratët janë grindur rreth financimit të qeverisë dhe në lidhje me rritjen e tavanit të borxhit.

Të dy palët shpalosën mendimet e tyre dhe caktuan limitet duke zhvilluar bisedime të zhurmshme ndaj njëri-tjetrit por jo me njëri-tjetrin.

Të enjten, plot 10 ditë pas mbylljes së pjesshme të qeverisë federale, palët duket se kanë bërë kthesën. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve ofruan një plan për të mbajtur përkohësisht larg kërcënimin e falimentit të parë të mundshëm të SHBA-ve.

Presidenti Barack Obama i dëgjoi, mori parasysh kërkesat dhe të dy palët duket se kanë arritur marrëveshje për të vazhduar bisedimet, ashtu siç u konfirmua edhe nga republikani Pete Sessions, nga Teksasi: Tashmë jemi duke punuar së bashku.

Sessions foli fillimisht gjatë mbrëmjes së të enjtes, pasi ai dhe republikanët e tjerë kishin biseduar me Obamën në Shtëpinë e Bardhë. Pas kësaj bisede, administrata Obama e përshkroi situatën si “të mirë”, duke thënë se presidenti kishte dëgjuar propozimet e republikanëve dhe të dy palët diskutuan rreth “hapave potencialë drejt së ardhmes”.

Edhe lideri i mazhorancës së Dhomës, Eric Cantor, e quajti situatën “shumë të dobishme”. “Ne do të vazhdojmë diskutimet mes të dyja palëve ditën e premte”, tha republikani i Virxhinias.

Megjithatë, fakti që të dy palët nisën bisedimet, nuk do të thotë se ata kanë arritur një marrëveshje domethënëse. Pavarësisht kësaj, ata janë tmerrësisht të ndarë mes rrugëzgjidhjeve të tyre prej javësh, duke thumbuar vazhdimisht kundërshtarët, por duke mos shkëmbyer propozime.

Republikanët e Dhomës kaluan fillimisht një seri masash duke lidhur financimin e qeverisë me mosmiratimin e “Obamacare”, një nga reformat kryesore shëndetësore të presidentit. Ata këmbëngulën më pas se nuk do të rrisnin tavanin e borxhit të vendit, pa ulur fillimisht shpenzimet.

Obama, ndërkaq, ka qenë gjithashtu i palëkundur në pozicionin e tij: Kaloni projektligjin ashtu siç është për financimin e qeverisë dhe rrisni kufirin e borxhit të vendit, e vetëm pas kësaj do të mund të bisedojmë.

Një nga afatet finale kaloi pa marrëveshje, 1 tetori, kur nisi edhe mbyllja e pjesshme e qeverisë federale, teksa autorizoi një tjetër pjesë të qeverisë të vazhdonte punën por pa u paguar.

Kishte shumë pak gjasa drejt adresimit të afatit tjetër, 17 tetorit, kur Departamenti i Thesarit deklaroi se qeveria s’do të kishte më fonde për të paguar borxhet, deri sa diçka të bëhej për zgjidhjen e këtij problemi.

Tashmë, një plan nga republikanët e Dhomës, për të rritur përkohësisht tavanin e borxhit të vendit dhe për të nisur bisedimet rreth rihapjes së qeverisë, zhvendosi tërësisht dinamikën e ngjarjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA