SHBA dhe OKB dënojnë aktin në Libi

11/10/2013 00:30

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, së bashku me Kombet e Bashkuara, kanë dënuar rrëmbimin e përkohshëm të kryeministrit libian, si dhe premtuan mbështetjen e tyre për tranzicionin e këtij vendi drejt demokracisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, bëri thirrje për të vepruar “në heshtje”, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, nxiti të gjithë libianët të respektojnë zbatimin e ligjit.

Ali Zeidan u rrëmbye nga një hotel në Tripoli dhe u mbajt peng për disa orë, nga disa milicë të armatosur. Ai lavdëroi grupin e armatosur që shkoi për ta liruar atë dhe bëri thirrje më pas për qetësi.

Motivi i rrëmbimit është ende i paqartë, por disa pjesëtarë të milicisë janë irrituar nga sulmi i komandove amerikanë të së shtunës së kaluar në Tripoli, për të kapur liderin e dyshuar të al-Qaeda-s, Anas al-Liby.

Shumë milicë marrin rrogën nga Ministritë e Mbrojtjes apo të Brendshme, në mungesë të një force efektive policore apo ushtrie, por besnikëria e tyre dhe fakti se nga kush kontrollohen janë ende të dyshimta.

Shtetet e Bashkuara denoncuan pengmarrjen. Kerry tha: “Libianët nuk rrezikuan jetët e tyre në revolucionin e 2011-s, duke toleruar rikthimin në qetësi. Ngjarjet e sotme vetëm sa nënvizuan nevojën për të punuar së bashku me kryeministrin Zeidan dhe me të gjithë miqtë dhe aleatët e Libisë, në mënyrë që të forcohen kapacitetet e saj me shpejtësi më të madhe dhe me sukses më të madh”.

Kerry tha se “nuk ka vend për këtë lloj dhune në Libinë e re”. Ndërkohë, një deklaratë në emër të Ban Ki-moon, thoshte se Libia po përballej me një situatë të përkeqësuar sigurie dhe akte në rritje të dhunës.

“Sekretari i Përgjithshëm bën thirrje ndaj të gjitha partive në Libi dhe popullit libian, për të krijuar konsensusin mbi prioritetet e kombit dhe për të punuar drejt ndërtimit të një vendi të fortë, të qëndrueshëm dhe në respekt të sundimit të ligjit, gjithashtu edhe në mbrojtje të të drejtave të njeriut”, lexohej në deklaratën e OKB-së.

Franca dhe Britania ofruan mbështetje të plotë për Zeidan. Presidenti francez, Francois Hollande, tha se ishte i gatshëm të forconte lidhjet me Libinë për të luftuar militantët. “Ne duhet të jemi atje për të bashkëpunuar me Libinë, për t’i dhënë fund këtyre grupeve”, tha ai.

Një zëdhënës i David Cameron tha se kryeministri britanik kishte folur me kryeministrin libian, tashmë “të qetësuar dhe të matur” pas lirimit të tij, dhe i kishte premtuar ndihmë për ndërtimin e një Libie “të qëndrueshme, të lirë, paqësore dhe të begatë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA