Ngërçi në SHBA, palët ulen në tryezë

11/10/2013 00:00

Republikanët iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Presidentit Obama për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi politik që ka paralizuar pjesërisht qeverinë federale amerikane.

Një delegacion republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, kryesuar nga lideri i tyre John Boehner u takua me presidentin Obama. Takimi zgjati përreth 90 minuta dhe në fund të tij të dyja palët thanë se edhe pse nuk kishte një marrëveshje, takimi ishte i dobishëm dhe u zotuan për vazhdimin e bisedimeve.

Republikanët thanë se i kishin ofruar presidentit Obama një rritje afat-shkurtër të tavanit të borxhit për të shmangur “humnerën”. Propozimi i republikanëve qëndron në rritjen e pakufizuar të borxhit për gjashtë javë, deri më 22 nëntor, e më pas të rikthehet tavani i përcaktuar.

“Ishte një takim prej të rriturish dhe serioz. Të dyja palët thanë se ndodheshin në tryezë me mirëbesim”, deklaroi në fund të takimit republikani Hal Rogers.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë theksoi edhe njëherë zotimin dhe angazhimin për të vazhduar bisedimet dhe progresin me të gjitha palët ligjvënëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB