Washington Post: Dronët iranianë goditën stacionin e CIA-s në ambasadën në Riad Republikanët iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Presidentit Obama për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi politik që ka paralizuar pjesërisht qeverinë federale amerikane.
Një delegacion republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, kryesuar nga lideri i tyre John Boehner u takua me presidentin Obama. Takimi zgjati përreth 90 minuta dhe në fund të tij të dyja palët thanë se edhe pse nuk kishte një marrëveshje, takimi ishte i dobishëm dhe u zotuan për vazhdimin e bisedimeve.
Republikanët thanë se i kishin ofruar presidentit Obama një rritje afat-shkurtër të tavanit të borxhit për të shmangur “humnerën”. Propozimi i republikanëve qëndron në rritjen e pakufizuar të borxhit për gjashtë javë, deri më 22 nëntor, e më pas të rikthehet tavani i përcaktuar.
“Ishte një takim prej të rriturish dhe serioz. Të dyja palët thanë se ndodheshin në tryezë me mirëbesim”, deklaroi në fund të takimit republikani Hal Rogers.
Shtëpia e Bardhë theksoi edhe njëherë zotimin dhe angazhimin për të vazhduar bisedimet dhe progresin me të gjitha palët ligjvënëse.
Ngërçi, sondazhet i japin të drejtë Obamës
Ndërkohë, Mosmarrëveshjet mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres për reformën shëndetësore, buxhetin dhe tavanin e borxhit përveç kostos financiare ka edhe një faturë politike.
Wall Street Journal dhe televizioni NBC News kryen një sondazh për të mësuar se cilës palë qytetarët amerikanë i japin të drejtë në qëndrimet e e tyre politike.
Sipas këtij sondazhi, presidenti amerikan Barack Obama është rritur me 2 pikë përqindje në krahasim me muajin shtator. 47 përqind e të anketuarvë mbështetën presidentin dhe qëndrimet e tij dhe kritikuan republikanët, ndërsa republikanët dhe liderët e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve kanë humbur pikë.
42 përqind e të intervistuarve rezervuan një mendim negativ ndaj John Boehner, nga 37 përqind që ishte në muajin janar, ndërkohë që vetëm 17 përqind e të pyeturve kanë një mendim pozitiv për të, ndërsa pjesa tjetër ose s’kanë dëgjuar ndonjëherë për të, ose janë neutralë.
Në përfundim, sondazhi thotë se që të dyja kampet politike, si republikanët ashtu edhe demokratët kanë humbur pikë në sytë e amerikanëve.
Top Channel