Mbytet një anije me 250 emigrantë, 50 viktima

11/10/2013 00:00

Një anije me më shumë se 250 emigrantë ilegalë është fundosur rreth 60 milje nga brigjet e Siçilisë. Për momentin raportohet për 50 të vdekur, mes të cilëve 10 fëmijë. Roja Bregdetare Italiane dhe disa mjete të ushtrisë janë duke realizuar një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi.

Disa helikopterë janë duke asistuar kërkimet dhe disa klandestinë janë nxjerrë ndërkohë nga uji. Sipas Agjensise Italiane te Lajmeve “ANSA”, numri i të rekuperuarve nga deti tashmë ka arritur në 150.

Njoftimi për incidentin u bë rreth orës 18:30 me orën shqiptare. Sipas mediave italiane, mjeti lundrues i mbushur kryesisht me somalezë dhe eritrianë ishte nisur nga Tunizia dhe besohet se është përmbysur në det të hapur për shkak të mbingarkesës dhe kohës së keqe.

Një javë më parë, më shumë se 300 persona u mbytën kur anija e tyre u fundos në afërsi të ishullit të Lampeduzës, në aksidentin që shkaktoi edhe numrin më të madh të viktimave mes klandestinëve që përpiqen të kalojnë Mesdheun drejt Italisë në pothuajse një dekadë.

Gjatë javës, në shenjë
mbështetjeje dhe solidariteti, presidenti i Komisionit Europian, Jose
Manuel Barroso vizitoi ishullin e Lampeduzës, ku bëri homazhe
për viktimat dhe premtoi nj
ë fond prej 30 milionë eurosh që do t’i akordohet Italisë për të përballuar fluksin e klandestinëve.

Vetëm gjatë 2013-s, mbi 30 mijë persona kanë kaluar Afrikën e Veriut për në Itali, një numër që tani është tre herë më i lartë se ai i një viti më parë.

Egjipt, tragjedi në det, mbyten 12 klandestinë, mbi 100 shpëtohen

Të paktën 12 klandestinë u mbytën, ndërsa 116 të tjerë u shpëtuan të premten, pasi peshkarexha e tejmbushur me të cilën shpresonin të mbërrinin në Itali u mbyt pak pas nisjes nga Egjipti.

Fundosja ndodhi pak pas nisjes nga qyteti port i Aleksandrisë. Të mbijetuarit, shumica e të cilëve palestinezë dhe sirianë janë sistemuar përkohësisht në një bazë detare.

Për shkak të problemeve të brendshme, Egjipti është përfshirë në atë pjesë të vendeve të Afrikës së Veriut që e ka të pamundur për momentin të kontrollojë efektivisht kufijtë e tij detarë.

Vorbulla që shkaktoi Pranvera Arabe dhe lufta civile siriane ka bërë që numri i emigrantëve që tentojnë të kalojnë Detin Mesdhe të trefishohet brenda një viti.

Nëse gjatë të gjithë 2012-s, në Itali zbarkuan 10 mijë emigrantë, vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti shifra e tyre, zyrtarisht ka arritur në 30 190 persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB