Kreu i ri i Komisionit Europian

11/10/2013 00:00

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, është kandidati i së majtës për postin e kreut të ardhshëm të Komisionit Europian.

“Schulz është zgjedhja jonë natyrale”, u shpreh kreu i grupit, Hannes Swoboda, pas mbledhjes së socialdemokratëve në Strasburg, që vendosi të mbështesë këtë kandidaturë, e cila u propozua nga “forcat e majta në disa shtete” të BE-së, siç u shpreh ai.

Procesi i nominimeve startoi më 1 tetor në PSE dhe kandidatura, që siguron mbështetjen e 6 partive nacionale lajmërohet më 6 nëntor, teksa shpallet në Kongres gjatë muajit shkurt.

Ndërsa forcat e tjera politike europiane ende nuk kanë paraqitur ndonjë kandidaturë, politikani i majtë gjerman, Martin Schulz, vlerësohet deri tani si më i favorizuari për të pasuar kreun aktual të Komisionit, Jose Manuel Barroso, i propozuar nga PPE.

Të gjelbrit nisin procesin përzgjedhës online në nëntor, për ta publikuar atë në janar. Komunistët shprehen në Kongresin e Madridit në mes të dhjetorit. Liberalët shqyrtojnë kandidaturën e tyre më 19-20 dhjetor, kurse të djathtët më 6-7 mars, gjatë Kongresit të PPE-së në Dublin.

Në bazë të Traktatit të Lisbonës, Parlamenti Europian voton për kreun e ardhshëm të Komisionit, mbi një propozim të krerëve të shteteve dhe qeverive, pas konsultimit me Parlamentin, duke marrë në konsideratë rezultatin e zgjedhjeve europiane të majit 2014.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB