Kenneth Bae do të vizitohet nga nëna e tij

11/10/2013 03:30

Nëna e shtetasit amerikan të burgosur në Korenë e Veriut do të lejohet ta vizitojë atë, bëjnë të ditur familjarët e tij. Terri Chung, motra e Kenneth Bae, tha se nëna e tyre ndodhej në Penjan dhe pritet të takohet me të gjatë mëngjesit të së premtes.

Bae, koreano-amerikan, u arrestua nëntorin e kaluar dhe u dënua me 15 vjet punë të detyrueshme në muajin maj. Korea e Veriut ka thënë se Bae, një misionar i krishterë dhe një operator turistik, kishte përdorur biznesin e tij turistik për të thurur komplote rebelimesh.

Një deklaratë e lëshuar nga familja e Bae bënte të ditur se Myunghee Bae pritet të qëndrojë në Korenë e Veriut për rreth 5 ditë. Aty shkruhej se ajo synon “të inkurajojë djalin e saj, gjendja shëndetësore e të cilit është përkeqësuar në burg”. Në deklaratë thuhej gjithashtu se përmes saj i kërkohej autoriteteve koreano-veriore ta falnin atë.

Në gusht, Korea e Veriut refuzoi një ftesë për të dërguarin amerikan Robert King për të udhëtuar në Penjan, i cili do të shikonte mundësitë për lirimin e Bae. Raportimet thonë se shëndeti i Bae është përkeqësuar ndjeshëm gjatë verës dhe ai është transferuar nga një kamp burgimi në një spital.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA