Japoni, zjarr në spital, 10 viktima

11/10/2013 04:35

Një zjarr jashtë ambienteve të një spitali në Japoni, gjatë orëve të para të ditës së premte, ka vrarë 10 persona, bën të ditur policia.

“Kemi konfirmuar vdekjen e 10 njerëzve, 8 pacientë dhe 2 punonjës të spitalit”, tha një zëdhënëse e policisë lokale në prefekturën jugore të Japonisë, Fukuoka.

8 persona të tjerë janë plagosur gjatë shpërthimit, sipas policisë, që shtoi se kushtet e të plagosurve nuk janë ende të qarta, nëse rrezikojnë jetën apo jo.

Pamjet filmike të transmetuara nga NHK tregojnë zjarrfikësit të kenë rrethuar spitalin, teksa tymi ka mbuluar tërësisht hyrjen ballore të ndërtesës, pjesë të së cilës u përfshinë nga zjarri. Re të zeza tymi janë parë edhe nga dritaret e katit të dytë të saj.

Zjarri besohet të ketë nisur rreth orës 2:20 me orën lokale, në ndërtesën 4-katëshe dhe është shuar vetëm pas më shumë se 2 orësh.

“Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar”, thanë zyrtarë të policisë, duke shtuar se viktimat janë të paidentifikuara.

I hapur në 1970, spitali ortopedik ndodhet në një zonë pothuajse të qetë rezidenciale, sipas mediave lokale, të cilat shtojnë se shumë prej pacientëve ishin të moshuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA