Raporti i Komitetit të Energjisë

10/10/2013 00:40

Raporti vjetor i sapo publikuar i Komunitetit të Energjisë vlerëson me nota negative Shqipërinë, përsa i përket kuadrit ligjor dhe zbatimit të reformave në këtë fushë, nga shtatori i vitit 2012 deri në shtator të këtij viti.

Pengesat e njohura në sektorin e energjisë mbeten varësia gati e plotë te hidrocentralet dhe likuiditeti i ulët financiar, i shkaktuar nga niveli paqëndrueshmërisht i lartë i humbjeve, shkalla e ulët e arkëtimit dhe mospagesat nga sektori publik.

Mosmarrëveshja, e cilësuar si “shumë e dëmshme”, mes shtetit e kompanive të tij dhe kompanisë private CEZ Shpërndarje, që kulminoi me heqjen e liçencës, në janar të vitit 2013, cilësohet “si një ngjarje e paprecedent” e palëve kontraktuese me Komunitetin e Energjisë.

“Shqipëria dështoi në rifreskimin e kuadrit ligjor në sektorin e energjisë, gjatë periudhës së raportuar. Si e tillë, ajo mbetet një ndër vendet më pak në përputhje me Komunitetin e Energjisë”,thuhet në konkluzionet e raportit. “Në të njëjtën kohë, organizimi i tregut të energjisë elektrike nuk ruan ritmin e zhvillimeve dhe kërkesave në rritje të kësaj fushe, në rajon dhe në BE”, vlerësohet më tej.

Prioritet për vendin mbetet eliminimi i përqëndrimit të tregut të energjisë dhe hapi i parë urgjent në këtë drejtim, sipas raportit, është miratimi i një ligji të ri mbi Sektorin e Energjisë.

Projekt-ligji aktual për këtë cilësohet i papërshtatshëm dhe kërkohen ndryshime thelbësore para miratimit të tij. Me gjithë përmirësimin e sektorit të energjisë elektrike gjatë periudhës së raportuar, falë situatës së mirë hidrike, nga mesi i këtij viti, mbetet ende punë për përforcimin e këtij sektori, përfshirë zgjidhjen e borxheve të brendshme dhe trajtimin e prapambetjeve.

Sipas raportit, niveli i humbjeve në shpërndarje dhe disiplinës në pagesa mbetet i paqëndrueshëm dhe duhen trajtuar rregullisht nga CEZ Shpërndarje, nga Enti Rregullator i Energjisë dhe nga administrata e shtetit.

“Ata duhet të mësojnë nga gabimet e së kaluarës dhe të ristrukturojnë në themel të gjithë sektorin, bazuar në transparencë, mosdiskriminim dhe respektim rigoroz të shtetit të së drejtës”, rekomandohet më tej.

Vendit i kërkohet të trajtojë mungesën e besueshmërisë te hidrocentralet, nga të cilat varet gati plotësisht, dhe, në lidhje me këtë, shpresohet se mbështetja për projektin e gazsjellësit TAP do të mund të vërë në punë termocentralin e Vlorës dhe të tjerë pas tij.

Në përfundim, theksohet se, me gjithë mbështetjen ndërkombëtare, Operatori i Sistemit të Transmetimit dështoi në përmirësimin e sigurisë dhe besueshmërisë në nivelin e kërkuar për t’iu bashkangjitur Rrjetit të Sistemit Europian të Transmetimit.

“ERE duhet të jetë më rigoroze në përforcimin e rregullave dhe të vendimeve të saj, përndryshe Shqipëria do të vijojë të mbetet pas në integrimin rajonal”, theksohet në dokument.

Vlerësimet e raportit vjetor të Komunitetit të Energjisë, ku Shqipëria është palë kontraktuese, do të përfshihen në pjesën përkatëse të raport-progresit të Komisionit Europian, që publikohet më 16 tetor.

Përgatiti: Ernest Bunguri

Top Channel