“Do ta pastrojmë vendin nga plehrat”

10/10/2013 00:00

Parlamenti ka nisur seancën e të enjtes me diskutimin e vendimit të parë
të propozuar nga Qeveria e re, ndryshimet në Ligjin për Menaxhimin e
Mbetjeve, që parashikojnë ndaljen e çdo lloj importi të mbetjeve me
qëllim riciklimin.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka tha se qëllimi i ndryshimeve të propozuara në këtë ligj është pastrimi i mbetjeve që gjenerohen në vend përmes riciklimit.

“Administrimi i mbetjeve në Shqipëri është në nivel të ulët. Me sisteme për grumbullimin e mbetjeve të ngurta janë pajisur vetëm qytetet, por jo zonat rurale. Aktualisht praktikohet shumë pak riciklimi. Kryesisht mbetjet asgjësohen në vendgrumbullimet e mbetjeve, të cilat nuk plotësojnë asnjë lloj kriteri, duke bërë të mundur ndotjen e mjedisit dhe rrezikimin e shëndetit të njerëzve”, thotë Koka.

Ministri i Mjedisit thotë se do të merren të gjitha masat për të bërë të mundur sa më shpejt ndarjen e mbetjeve që në burim.

Por në kushtet e një legjislacioni fragmentar, sipas deputetit të Partisë Socialiste Besnik Bare ajo çka do të ndihmonte realizimin e kësaj sfide është ngritja e një Agjencie Kombëtare të Pastrimit.

“Ngritja e një Agjencie Kombëtare për Pastrimin mund realisht të marrë përgjegjësinë e duhur për të realizuar këtë sfidë, që sikurse e thamë dhe në relacion bashkë me kolegun Shalsi, kjo nuk është një sfidë e biznesit  riciklues, kjo është sfidë e Parlamentit, e Qeverisë, e pushtetit lokal, e shoqërisë civile, është sfidë për mediat, është sfidë e çdo familjeje”, tha Bare.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar Shqipërinë vendin më problematik në hartën e Evropës sa i përket menaxhimit të plehrave, duke theksuar se asnjë mbetje nuk do të importohet deri në pastrimin e vendit.

“Shqipëria sot është vendi më problematik përsa i përket mbledhjes dhe trajtimit të plehrave në gjithë hartën e Europës. Dhe gjëja e mirë që ne mund të benim për Shqipërinë e rrënuar që trashëgojmë, është ndalimi i importit të cdo lloj mbeturine. Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë deri ditën kur Shqipëria do të jetë në gjendje të seleksionojë, të ndajë, të mbledhë, të përpunojë plehrat që prodhon vetë. Do t’i heqim plehrat nga sytë e gjithëkujt që në këtë vend e ftojmë të vijë për të shijuar bukuritë dhe për të shtuar fuqinë tonë të industrisë së turizmit”, tha Rama.

Projektligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve u miratua në Parlament me votat e maxhorancës. Ky votim i mbyll rrugën referendumit të kërkuar nga shoqëria civile, e cila e ka kundërshtuar me forcë vendimin e Qeverisë së mëparshme për importin e mbetjeve pasi përmes tij i hapej rruga hyrjes së mbetjeve të rrezikshme për shkak të mungesës së monitorimit nga ana e shtetit, si dhe nuk stimulonte pastrimin e plehrave që gjenerohen në vend.

Sekuestrimi i pasurive të krimit
Kuvendi miraton me 78 vota ligjin për financimin kundër terrorizmit

Me një prezencë prej 78 deputetësh në sallë, Kuvendi ka miratuar projektligjin për financimin kundër terrorizmit, një projektligj i mbartur nga qeveria Berisha.

Deputeti socialist Taulant Balla nga podiumi i Kuvendit ngriti pikëpyetjen për funksionimin e ligjit të sekuestrimit të pasurisë së organizatave kriminale, në kushtet kur sipas raporteve të institucioneve shtetërore janë sekuestruar vetëm asete që të gjitha së bashku kapin vlerën e 10 milione Euro, një shifër shumë e vogël, disa herë më e vogël se ajo e gjobave të policisë rrugore ndaj drejtuesve të mjeteve deklaroi ai.

Sipas tij, ky është një tjetër ligj që tregon se nuk ka funksionuar kontrolli parlamentar i zbatueshmërisë së ligjeve të miratuara nga qeveria paraardhëse.

Parlamenti ka ndryshuar edhe mënyrën e votimeve nominale, duke i dhënë mundësinë cdo emri në garë të votohet, pavarësisht se i pari mund të arrijë shumicën e nevojshme prej 71 votash.

Me këtë procedurë të re, Petrit Ahmeti u zgjodh në krye të bordit të Entit Rregullator të Energjisë me 76 vota, ndërsa rivali i tij Agim Nashi mori vetëm 6 vota pro, duke dëshmuar se katër prej deputetëve të pranishëm në sallë kanë votuar pro të dy emrave, pavarësisht kërkesës së kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçi që deputetët të shmangin votimet dyfishe pro.

Parlamenti votoi emrin e Sokol Çomos si anëtar i KLD-së. Në këtë seancë gjithashtu u votua një tjetër projektligj i qeverisë së re, ai për  auditimin e borxhit të cdo ministrie ndaj bisnesit vendas dhe të huaj.

Top Channel