Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, i ka kërkuar Asamblesë Kombëtare të vendit të tij t’i japë kompetenca për hartimin e dekreteve, të cilat sipas tij i duhen për të luftuar korrupsionin dhe sabotazhin ekonomik.
Opozita thotë se Maduro po kërkon fuqi të tjera shtesë, teksa po ndjek gjurmët e mentorit të tij të ndjerë, Hugo Chavez.
Chavez kishte fituar fuqi të ngjashme 4 herë gjatë periudhës së tij 14-vjeçare si president. Në total, Chavez i përdori këto fuqi për të miratuar 200 ndryshime ligjore, që forconin kontrollin e shtetit ndaj ekonomisë së Venezuelës.
Lideri i opozitës, Henrique Capriles, tha se nëse i jepen Maduros fuqi dekretuese, nuk do t’i jepet fund mungesës së ushqimeve, por vetëm sa do të forcojë dorën e hekurt të një ekzekutivi, të cilën ai e quan jo kompetent.
Capriles humbi me një diferencë të ngushtë votash ndaj Maduros, në zgjedhjet presidenciale të muajit prill.
Partia e Maduros mban 98 nga 99 vendet e nevojshme për 3/5-tat në Asamblenë Kombëtare, ndaj dhe po kërkon t’i dhurohen fuqi dekretuese, që pritet t’i marrë pasi bëri kërkesën zyrtare ditën e martë.
“Kritikët thonë se gjithçka që do të bëjë ai, është të kërcënojë opozitën edhe më ashpër se deri më tani, pavarësisht se ai thotë se në këtë mënyrë do të mund të luftojë korrupsionin dhe disa nga problemet kryesore ekonomike të vendit”, tha Girish Gupta, një gazetar nga Karakasi, përpara votimit.
Gupta tha se votimi mund të jetë një përpjekje për të forcuar mbështetjen brenda partisë së vet Maduros. “Maduro nuk është Hugo Chavez, gjë që ka qenë tepër evidente gjatë muajve të fundit, që pas vdekjes së tij. Maduro ka bërë disa gafa serioze, ndaj dhe popullariteti i tij mes mbështetësve të Chavez-it nuk është aq i lartë, madje po bie vazhdimisht”.
Top Channel