“Unë jam Gegë”, i Mustafa Nanos

09/10/2013 01:30

“Unë jam Gegë” është libri më i fundit, që analisti i medias, Mustafa Nano, ka nxjerrë në treg, i botuar nga shtëpia botuese e Universitetit Europian të Tiranës.

Autori i parathënies Primo Shllaku e ka cilësuar librin si historologjik, një vështrim analitik mbi gegët dhe toskët.

“Ftesa ishte në përputhje me gjithçka mendoj unë dhe gjithçka bëj unë në kohën e sotme. Libri është kultorologjik, unë mendoj se te ne ka shumë pak libra kultorologjik, ka shumë libra politik dhe letrarë, në thonjëza”, tha Primo Shllaku.

Ndërsa vet autori i librit vlerësoi rolin e personaliteteve të kulturës në këto 100 vjet shtet, për ruajtjen e klimës së mirë të marrëdhënieve gegë-toskë, gjë që nuk u vu re në politikë.

“Rilindasit tanë e kanë nisur aksionin e tyre kombëtarist me apelin gegë e toskë, muslimanë e të krishterë, bëhuni bashkë. Ky lloj apeli tregon se ka pasur një problem midis gegëve dhe toskëve, i cili ka qenë mungesa e madhe e komunikimit”, u shpreh Mustafa Nano.

Libri u promovua përmes një ceremonie të organizuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, ku kanë marrë pjesë personalitete të politikës, kulturës dhe medias.

Top Channel