Një gjykatë turke pezulloi dënimet e disa figurave të larta ushtarake, të akuzuara për organizimin e një grushti shteti ndaj qeverisë së kryeministrit aktual, Recep Tayyip Erdogan.
Gjenerali në pension, Cetin Dogan, i akuzuar si organizatori kryesor i këtij komploti, ishte dënuar më parë me 20 vjet heqje lirie.
Më shumë se 300 drejtues të ushtrisë u burgosën një vit më parë pas një procesi të bujshëm gjyqësor, i cili i konsideroi ata si përgjegjës për organizimin e një puçi të mbetur në tentativë.
Sipas akuzës, ushtarakët ishin të revoltuar nga disa reforma të Erdogan, të cilat synonin një islamizim më të madh të vendit.
Përveç pezullimit të dënimeve deri në rishqyrtimin e provave për shumicën e të pandehurve, gjykata urdhëroi lirimin e 100 të akuzuarve e dërgimin e dosjeve të tyre për rigjykim.
Procesi për këtë grusht shteti është i ndryshëm me skandalin e njohur me emrin “Ergenekon”, një tjetër proces paralel që përfshin disa qindra ushtarakë, të akuzuar gjithashtu për komplot për puç.
Një vend që i ka rezervuar ushtrisë fuqi të posaçme në kushtetutë, Turqia ka njohur katër grushte të suksesshme shteti midis viteve 1960-1997.
Top Channel