Spanjë, kriza ekonomike godet fëmijët

09/10/2013 15:55

Këshilli i Europës paralajmëroi se masat e shkurtimit të imponuara nga vështirësitë ekonomike në Spanjë po godasin gjithmonë e më shumë fëmijët.

Sipas statistikave të KiE-s, varfëria arriti në 30% të numrit të përgjithshëm të fëmijëve në vitin 2011 dhe shkurtimet në asistencë, shëndetësi dhe edukim kanë rritur numrin e fëmijëve të mbetur të pastrehë apo të kequshqyer.

Paraplegjikët dhe personat e tjerë me handikap mendor po përballen gjithashtu me një varfëri e margjinalizim në rritje, pasi ndihma shtetërore është reduktuar ose ndërprerë.

Nga ana e saj, qeveria spanjolle sfidon këto përfundime, duke pretenduar se investimet në arsim janë rritur.

Aktualisht, Madridi zyrtar është duke ndërmarrë një program të dhimbshëm shkurtimesh, pasi vendi gjendet në krizë financiare e ka pasur nevojë për një dorëzani nga BE, pasi u godit rëndë nga kriza e vitit 2008-09.

Niveli i papunësisë në Spanjë është një prej më të lartëve në Europë, me 26,3% të forcës aktive, ndërsa më shumë se gjysma e të rinjve që kërkojnë një punë nuk janë në gjendje ta sigurojnë atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA