Obama nominon kryetaren e re të Rezervës

09/10/2013 02:10

Presidenti Obama do të nominojë Janet Yellen për të shërbyer si kryetare e radhës së Rezervës Federale, bëri të ditur një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë gjatë mbrëmjes së ditës së martë.

Njoftimi do të bëhet më 15:00 me orën lokale të ditës së mërkurë. Nëse Yellen konfirmohet nga Senati, ajo do të bëhet e para femër që kryeson Bankën Qendrore në historinë 100-vjeçare të saj.

Yellen fitoi kështu kandidaturën bazuar mbi një CV të fuqishme, përfshi rolet e ndryshme në më shumë se 1 dekadë në Rezervën Federale. Aktualisht, ajo shërben si zëvendës/kryetare e saj dhe ka nxitur bankën qendrore të stimulojë ekonominë në adresimin e papunësisë së lartë të Shteteve të Bashkuara.

Pikëpamjet e saj konsiderohen si tepër të përafërta me kreun aktual, Ben Bernanke, dhe për këtë arsye, tranzicioni i lidershipit pritet të jetë i qetë, kur mandati i tij të përfundojë në janar.

Përpara rolit të tanishëm, Yellen ka shërbyer si presidente e Rezervës së San Francisco-s, teksa procesverbalet tregojnë se, gjatë asaj kohe, ajo parashikonte krizën vendase më mirë se kushdo nga kolegët e saj.

Në fundin e viteve 1990, Yellen shërbeu edhe si kryetare e Këshillit të Këshilltarëve Ekonomik të presidentit Bill Clinton. Ajo ka studiuar për shkencat ekonomike në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley dhe Shkollën Ekonomike të Londrës. Ajo zotëron një diplomë “bachelor” nga Universiteti “Brown”, ashtu sikurse dhe doktoraturën nga Universiteti “Yale”.

Kreu i Rezervës Federale është një nga pozicionet më të fuqishme të botës, ndaj dhe ky nominim vjen në një moment tepër kritik. Banka Qendrore po konsideron reduktimin e programit aktual të blerjes së obligacioneve, ndërkohë që përgjatë rrugës kryetarja e re e saj do të duhet të përballet edhe me detyrën e komplikuar të përmbylljes së stimujve monetarë prej 5 vitesh.

Që prej fundit të 2008-s, Rezerva ka grumbulluar më shumë se 3 trilionë dollarë në Thesar dhe letra me vlerë të mbështetura në hipotekë, me synimin për të mbështetur ekonominë amerikane. Yellen i di tashmë hyrjet dhe daljet e këtyre politikave, duke ditur se ajo ishte pjesë e ekipit që i implementoi ato.

Procesi i konfirmimit do të dojë muaj, por Yellen i ka tashmë në krahun e saj demokratët e Senatit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA