Irani duket tepër serioz sa i përket përpjekjeve për të zgjidhur ngërçin në lidhje me programin bërthamor të tij, teksa është i vendosur ta bëjë këtë gjë “në një periudhë të shkurtër kohore”, bëri të ditur kreu i parlamentit të Iranit, Ali Larijani, në një intervistë ekskluzive për gazetaren e CNN, Christiane Amanpour, gjatë së martës.
“Sa na përket neve, mund të them se jemi gati”, tha Larijani nga Gjeneva, ku ndodhet aktualisht. “Nëse amerikanët dhe vendet e tjera thonë se Irani nuk duhet të zhvillojë bombën bërthamore, apo nuk duhet të bëjmë përpjekje drejt këtij objektivi, – tha ai për Amanpour, – atëherë ne duhet ta tregojmë qartësisht këtë gjë me prova. Ne nuk e kemi këtë synim. Kështu që gjithçka mund të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër”.
Megjithatë, Larijani tha se Perëndimi duhet të pranojë të drejtën e Iranit për të pasuruar energjinë bërthamore për qëllime civile, siç lejohet edhe në Traktatin e mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT), të cilin e ka firmosur edhe Irani.
“Nëse ata duan të negociojnë me ne, apo nëse kanë motive shtesë të fshehta, që në një farë mënyrë të kërkojnë të bindin Iranin për të braktisur programin e tij bërthamor, atëherë kjo gjë do të dojë një kohë më të gjatë”.
Pengesa më e madhe për një marrëveshje bërthamore nuk qëndron mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, por vet situatës së brendshme të të dy vendeve, pasi presidentët Obama dhe Rouhani duhet të punojnë për të bindur liderët politikë respektivë, se një marrëveshje mund të jetë e vlefshme.
Rouhani, në një intervistë për të njëjtën gazetare gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se kishte bekimin e liderit suprem, Ayatollah Khamenei, për të negociuar drejtpërdrejt me Amerikën.
Kur Rouhani u rikthye në Iran pas furtunës së tij diplomatike dhe turit reklamues në New York, Ayatollah Khamenei tha se disa prej veprimeve të ndërmarra nga presidenti iranian ishin të papërshtatshme.
“Gjëja më e rëndësishme është se, përgjithësisht, ajo që bëri ai u aprovuar nga lideri suprem”, tha Larijani, duke shtuar se presidenti i kishte treguar botës se Irani është “në kundërshtim me ekstremizmin”.
Top Channel