Argjentinë, presidentja operohet me sukses

09/10/2013 03:10

Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, është në gjendje të mirë, teksa po rikuperohet pas operacionit në tru, bënë të ditur zyrtarët gjatë së martës.

“Operacioni rezultoi i suksesshëm, përfundoi me rezultate të kënaqshme. Presidentja ndodhet në dhomën e saj dhe përgjithësisht zotëron një frymë pozitive”, tha zëdhënësi i saj, Alfredo Scoccimarro, përmes një deklarate.

Mjekët thanë se nuk pati komplikacione gjatë ndërhyrjes kirurgjikale për të hequr masën e gjakut të mpiksur nën kafkën e kokës. Fernandez, 60 vjeçe, do të qëndrojë në një spital të Buenos Aires-it, teksa doktorët thonë se progresi është i dukshëm.

Gjatë fundjavës së kaluar, mjekët diagnostikuan Fernandezin me një hematomë në sipërfaqe të trurit, duke thënë se asaj do t’i duhej rreth 1 muaj pushim nga puna.

Hematoma “subdurale” është një mpiksje gjaku në sipërfaqe të trurit, apo nën mbulesën e kafkës, që quhet “dura”. Shpesh herë, sidomos te njerëzit mbi të 60-tat, trauma në tru mund t’u shkaktojë bllokim të enëve të gjakut dhe mpiksjen e tij.

Sipas Kushtetutës së Argjentinës, zëvendëspresidenti drejton Presidencën përkohësisht, në mungesë të presidentes.

Në një fjalim televiziv të së hënës, zëvendëspresidenti Amado Boudou tha se situata ishte e ngjashme me kohën kur Fernandez i kaloi përkohësisht pushtetin atij, gjatë nënshtrimit të një tjetër ndërhyrjeje në janar të 2012-s, për të hequr gjendrat e tiroideve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA