Ekipi “SEAL 6” i Marinës amerikane u tërhoq gjatë një sulmi në Somali, për të kapur liderin e dyshuar të Al-Shabaab, Ikrima, në momentin që u bë e qartë se ai nuk do të mund të kapej i gjallë, bëri të ditur një zyrtar i lartë për CNN.
“Misioni i tyre ishte të kapnin atë. Në momentin kur u bë e qartë se nuk ishte e mundshme ta zinin rob, komandanti i Marinës mori vendimin për t’u tërhequr”, tha zyrtari, i cili kishte njohuri mbi operacionin në Somali, por refuzoi të identifikohej.
Ai shtoi se ekipi “SEAL” u përball me një kundërshtim të ashpër dhe një shkëmbim zjarri intensiv, gjë që i detyroi të tërhiqeshin. Synimi i misionit, për të kapur rob Ikrima-n, ishte shkaku se pse ekipi shkoi vet në vendngjarje, në vend që të përdoreshin sulmet me dronë (avionë të telekomanduar), por fakt ishte që vila ruhej nga shumë truproja sigurie.
Ndërkohë, një tjetër zyrtar tha se në kompleks ishin vërejtur shumë fëmijë nga anëtarët e “SEAL”, diçka që detyroi ata të ndalnin dyluftimin. Për shkak të pyetjeve të ngritura mbi braktisjen e misionit, Pentagoni ka sugjeruar se ishin militantët e al-Shabaab ata që kishin zmbrapsur “SEAL”.
“Nuk është një braktisje”, tha zëdhënësi i Pentagonit, George Little për CNN. “Ishte një dyluftim dhe ata shfrytëzuan çdo mundësi për të shmangur vdekjen e civilëve në këtë rast, pasi kjo është ajo çfarë detyrohet të bëjë personeli ynë ushtarak. Ata morën këtë vendim, i cili ishte i frytshëm, për t’u tërhequr. Ishte vendimi i tyre”.
Little tha më herët se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë së bashku me qeverinë e Somalisë për t’u përballur me Al-Shabaab. “Edhe pse operacioni nuk përfundoi me kapjen e Ikrima-s, personeli ushtarak amerikan kreu një operacion me saktësi të pashembullt dhe tregoi se SHBA-të mund të ushtrojnë presion direkt ndaj liderëve të Al-Shabaab, në çdo moment që do të zgjidhet i arsyeshëm nga ne”, tha ai.
Somalia mirëpriti sulmin amerikan, bëri të ditur zëvendës/kryeministri i Somalisë, Fawzia Yusuf Adam, për CNN. “Mirëpresim të tjera ndërhyrje, nëse kjo gjë do të na ndihmojë neve të luftojmë al-Qaeda-n dhe Al-Shabaab”, tha Adam, i cili është edhe ministër i Jashtëm i vendit.
Top Channel