Lampeduza, numri i viktimave shkon në 232

08/10/2013 03:40

Zhytësit italianë kanë rikuperuar dhjetra trupa të tjera nga anija me emigrantë afrikanë e përmbysur gjatë së enjtes.

38 trupa u nxorrën nga trupi i anijes, pjesë që zhytësit e kanë pasur të pamundur ta arrinin më herët. Numri zyrtar i të vdekurve ka shkuar në 232.

Sipas një oficeri të marinës, zhytësit kanë nxjerrë në sipërfaqe “një mur me njerëz”, duke shtuar se trupat e viktimave ishin “aq të ndërthurura me njëri-tjetrin” sa që ishte tepër e vështirë të ndaheshin.

Anija u përfshi nga flakët dhe u fundos pranë ishullit siçilian të Lampeduzas. Vetëm 155 vetë i kanë mbijetuar aksidentit, që ndodhi rreth 1 km larg brigjeve siçiliane.

Operacioni për rikuperimin e trupave të tjerë nga trupi i anijes së mbytur është pezulluar gjatë natës, por do të vazhdojë sërish ditën e martë.

Dhjetra-mijëra emigrantë përpiqen të kalojnë mes vështirësish të shumta nga Afrika Veriore drejt Siçilisë apo ishujve të tjerë italianë çdo vit, duke i bërë të shpeshta të tilla aksidente, por ai i javës së kaluar ka qenë ndër më me shumë të vdekur në histori.

Anija gjendet rreth 47 m në thellësi, gjë që detyron zhytësit të qëndrojnë vetëm për një kohë të shkurtër në thellësi.  Të gjithë trupat e viktimave që gjendeshin rreth anijes apo në kuvertën e saj janë ngjitur në sipërfaqe, sipas policisë, por ka edhe dhjetra të tjerë të mbetur brenda anijes.

“Jam i sigurt se pjesa më e vështirë e operacionit do të nisë tani. Teknikisht, do të jetë një operacion tepër sfidues”, tha zhytësi i Rojes Bregdetare, Rocco Pilon, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA