Tepelenë, s’ka ndihmë sociale

05/10/2013 00:00

465 persona të regjistruar në listën e paaftësisë të të gjitha
kategorive në qytetin e Tepelenës nuk e kanë marrë pagesën e planifikuar
që prej muajit korrik.

Situata duket se është  shumë e vështirë pasi këtë  vit paaftësia paguese nisi që prej korrikut. Punonjësja e zyrës së Përkrahes Sociale bën me dije se fenomeni ndodh sistematikisht vitet e fundit por moscelja e fondeve ka prekur më parë vetëm një apo dy muajt e fundit të vitit që mbarteshin për vitin passardhës.

Këtë vit edhe fondi i ndihmës ekonomike për rreth 320 familje nuk është paguar që prej gushtit. E pyetur nëse planifikimi i bashkisë së Tepelenës për listat e përkrahjes sociale i përgjigjet gjendjes së tyre aktuale Lenie Dervishi i përgjigjiet se që prej fillimit të vitit në Tepelenë janë shtuar në listat e përkrahjes sociale rreth 30 familje por kjo shifër pritej dhe kërkesa  sipas saj ishte kryer më parë.

Nga ana tjetër autoritetet qëndrore në ministrinë e linjës flasin për paaaftësi menaxhuese të administratorëve lokale që kryejnë planifikime të gabuara dhe joreale në fillim të vitit. Kështu fondet përdoren për një numër mjaft më të madh përfituesish nga sa ishin planifikuar.

Në Tepelenë që prej fillimit të vitit të dy listat kryesore të skemës janë rritur me të paktën 30% krahasuar me një vit më parë. Emigrantët e mbërritur rishtas dhe të papunë janë njëri prej shkaqeve ndërsa varfëria, invaliditeti i rritur dhe shkaqet e tjera bëjnë që gati 80% e   familjeve që jetojnë në Tepelenë të varen nga skema e përkrahjes sociale. 40 % e familjeve të qytetit përfitojnë prej ndihmës dhe 40% e familjeve kanë të paktën një person që përfiton prej skemës së paaftësisë.

Top Channel