Elementëve të rinj, që po përvijohen dita-ditës në sheshet e sapondërtuara të Prishtinës, iu shtua edhe një vepër e artit të rrugës. Një mace e madhe është pikturuar në një prej pallateve në qendër të kryeqytetit kosovar.

Macja e verdhë është vepër e artistit Thomas Vuille nga Franca. I njohur ndryshe dhe si “Zoti Maçok ”, Vuille, me leje të komunës, e ka pikturuar “macen lozonjare”, e cila, përveç se përcjell simbolikën e optimizmit dhe pozitives, ka qenë edhe simbol i protestave franceze kundër luftës në Irak.

Në vitin 1997, kur po studionte arte pamore, Thomas Vuille ishte pjesë e seminareve me nxënës të shkollave fillore në Francë, ku dhe u frymëzua për krijimin e simbolit të tij nga një nxënëse pakistaneze.

“Kur bëja seminare arti, një vajzë e vogël vizatoi për mua një mace, me buzëqeshje të madhe. Më pëlqeu shumë dhe po mendoja, nëse mua ma dha këtë ndjenjë, po ta përpunoj këtë vizatim të thjeshtë, edhe të tjerët që do ta shohin do të kenë të njëjtën ndjenjë”, tha Vuille.

Thomas aplikoi artin e tij në mënyrë ilegale deri në vitin 2007, kur edhe u arrestua duke pikturuar një mur në Francë. Me kalimin e kohës, galeri të ndryshme shprehën interesim për punën e tij.

Artisti vendosi “Mr. Cat” në muret e ndërtesave, trena, sheshe në katër anët e globit, në Vjenë, Paris, Neë York, Kubë, Londër, Japoni, Korenë e Jugut, Vietnam, Sarajevë etj., dhe së fundmi edhe në Prishtinë.

“Është mirë për njerëzit, u jep atyre lumturi dhe ndjenjë të mirë për qytetin e tyre”, shtoi Vuille.

Thomas Vuille erdhi në Kosovë në kuadër të projektit “Kudo-art në hapësira publike”, si bashkëpunim i Komunës së Prishtinës dhe Ambasadës Franceze në Kosovë, që ka për qëllim pasurimin e hapësirave publike me vepra origjinale arti, nga artistë të vendit e të huaj.

Top Channel