Meta: Opozita të bashkëpunojë

05/10/2013 00:00

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se opozita do t’i ketë të gjitha
hapësirat dhe duhet të bëhet pjesë e reformave të domosdoshme për
integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Opozita do të ketë të gjitha hapësirat dhe të gjitha mundësitë që të thotë fjalën e saj që të japë mendimet e saj, si në Komisione, si në seancë plenare dhe besoj shumë se opozita jonë do të vijojë të kontribuojë për progresin e këtyre reformave kaq të rëndësishme edhe për vetë integrimin europian të vendit”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit pati një takim me kryetarin e PDSH-së në Maqedoni Menduh Thaçi. Mes zotit Meta dhe Thaçit fokusi u ruajt tek rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe roli i faktorit shqiptar në ruajtjen e stabilitetit.

“E informova kryetarin e Parlamentit me kontributin që jep PDSH që të përshpejtohet edhe procesi i bllokimit integrues për Maqedoninë. E informova edhe për vështirësinë dhe telashet që kemi ne shqiptarët e Maqedonisë në realizimin e të drejtave tona qofshin individuale, qofshin kolektive. Një problem shumë i madh që po troket në dyert tona është një varfëri e thellë për shkak se kemi mungesë të perspektivës, mungesë të investimeve ekonomike që vijnë prej bllokimit të procesit integrues”, u shpreh Thaçi.

“Ne dëshirojmë më të mirën për Maqedoninë, dëshirojmë që shqiptarët e Maqedonisë të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre konstruktiv dhe ambicioz për forcimin e stabilitetit të këtij vendi, por edhe për integrimin sa më të shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian të Maqedonisë”, u shpreh Meta.

Top Channel