Fushata elektorale për zgjedhjet në bashkinë e Korçës ka nisur tashmë dhe kandidati demokrat Sotiraq Stratobërdha ka reaguar nga sheshi para kinemasë, duke denoncuar kaosin që është atje si pasojë e trafikut të shumtë, mungesës së vendeve të parkimit, por edhe sinjalistikës që është e domosdoshme për qytetarët.

“Para dy vjetësh bashkia bëri një ndërhyrje, si rezultat i të cilës u ngushtuan rrugët, u hoqën parkimet dhe u krijua një ishull këmbësorësh që po përdoret për automjetet”, deklaroi Stratobërdha.

Ka reaguar menjëherë shtabi elektoral i kandidatit socialist, Sotiraq Filo. Sipas tyre, këto janë përpjekje për t’i bindur qytetarët se gjendja ka qenë më e mirë atëherë kur ky shesh ishte i pandërtuar dhe ku qytetarët nuk mund të kalonin.

“Qytetarët e Korçës e kanë bërë zgjedhjen e tyre: ndërtimin në vend të shkatërrimit, punën në vend të fjalëve, Korçën që do zhvillohet në vend të rrënimit. Tashmë e dinë të gjithë se kjo është koha për Korçën”, deklaroi Larisa Katundi, zëdhënëse e shtabit elektoral të PS.

Top Channel