Një ditë pas vizitës së Toni Blair në Tiranë Partia Demokratike akuzoi
Qeverinë e Kryeministrit Rama se ka gënjyer shqiptarët, kur u tha se
konsulenti i zgjedhur prej tij do të punojë vullnetarisht.

Në një deklaratë për median, deputeti Aldo Bumçi ka kërkuar nga Rama të bëjë transparencë lidhur me shpenzimet për konsulentin më të shtrenjtë aktualisht në botë.

“Deri në këtë moment që flasim, z. Rama nuk e ka përgënjeshtruar deklaratën e konsulentit të tij. Pra njëri prej tyre po thotë të vërtetën, dhe mesa duket ai është ish-kryeministri anglez dhe është zoti Rama që gënjen.  Anglezët kanë një shprehje, se: ‘Nuk ekziston as edhe një drekë falas’.  Z.Rama e di shumë mirë, se konsulenti më i kushtueshëm i botës, z.Blair, çarteri i të cilit kushton jo më pak se 7 mijë euro në orë, nuk mund të ofrojë shërbim falas për Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare. E ka ditur shumë mirë, se z.Blair do të paguhet. Përse atëherë ai u tha shqiptarëve se Tony Blair do të jetë vullnetar? Çfarë fsheh Edi Rama?  Përse nuk bën transparencë në lidhje me pajtimin e konsulentit më të paguar të botës? Cilët janë donatorët që do të mbulojnë shpenzimet e ish-kryeministrit britanik? Çfarë interesash kanë ata në vendin tonë? Si do të kompensohen ata për bujarinë që po tregojnë duke nxjerrë para nga xhepi i tyre për të paguar z.Blair?” tha Bumçi.

Top Channel